Viti 2018 - vit i trazuar për Gjermaninë - Bota Sot
Viti 2018 - vit i trazuar për Gjermaninë

Evropë

Viti 2018 - vit i trazuar për Gjermaninë

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 10:57
Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Mendohej se Gjermania e Angela Merkel do të ktheheshin në kundërpol të presidentit amerikan, Donald Trump. Tani kuptohet, se ky ishte një iluzion, mendon Chase Jefferson. Viti 2018 e riformatoi peizazhin politik gjerman.

Kujtimi im nga viti 2018 është një foto e Angela Merkelit me Horst Seehoferin në ballkonin e zyrës së kancelares. Kancelarja me kurriz të kthyer nga ministri i Punëve të Brendshme largohet e nervozuar, sikur Seehofer të ishte një qen, që ajo e kishte gjetur në kuzhinë kur mblidhte plehrat. Era i ka trazuar flokët Merkelit. Kancelarja duket e palumtur, e tejlodhur dhe e plakur.

Në këtë moment, Merkel kishte arsye të ishte e nervozuar. Vera e kancelares ishte sunduar nga negociata të pafundme me ministrin e Punëve të Brendshme, Seehofer - tema qendrore: Kthimi i refugjatëve në kufi. Një temë që gati e rrëzoi qeverinë gjermane, dhe që vetëm përmes një kompromisi të hidhur u arrit të merrej kthesa. Kjo pamje e Merkelit ishte e çuditshme, pak e huaj, sepse Merkeli ishte e njohur si kancelarja që i dilte ballë pa problem stresit.

Merkel nuk donte thyerje të mëdha

Por kjo rezistencë lidhej me kohën para vitit 2018. Pamja e një Merkeli të lodhur, të përndjekur si fantazmë nga Seehofer, mund të përdoret edhe si një metaforë për politikën gjermane.

Image
Horst Seehoferin dhe Angela Merkel

Nëse mund t'i besosh revistës "New Yorker", Merkeli vendosi për kandidaturën e katërt si kancelare në vitin 2017 pjesërisht nga bindja, se bota kishte nevojë për një kundërpeshë racionale përballë Trumpit. Por viti 2018 tregoi se Merkeli e moderuar dhe politika që mishëronte ajo pësuan çarjet e para përballë kësaj barre.

Në mënyrë ironike, kancelarja që kërkonte pa problem kompromise dhe që dukej se qëndronte mbi grindjet e përditshme të pista të politikës, nuk mund të bënte asgjë për thyerjet që pësoi sistemi. Viti për të filloi me negociata për koalicionin e tretë me partnerin socialdemokrat, SPD. Si shumë vëzhgues edhe unë kam qenë i habitur për dredhat e vazhdueshme të politikanit socialdemokrat, Martin Schulz. Ndërkohë që kreu i të rinjve socialdemokratë, Kevin Kühnert më la një përshtypje pozitive. Studenti atëherë 28 vjeçar, që nuk i preferonte kravatat dhe kostumet e shtrenjtë, e dinte se çfarë donte. Ai shprehej qartë e me bindje.

Pambukore në veshët e Partisë Socialdemokrate

Kjo nuk mund të thuhet për drejtues të tjerë të Partisë Socialdemokrate. Sekretari i Përgjithshëm, Lars Klingbeil ishte për të ardhur keq, kur në një diskutim publik për fushatën zgjedhore 2017 e pyeta, nëse problemi kryesor i SPD-së ka të bëjë me atë që në Gjermani gati nuk ekziston më klasa punëtore industriale. E çfarë të përgjigjej ai? Edhe një skenë tjetër ma ka bërë të qartë perëndimin politik të SPD-së. Para hollit në Visbaden, kur partia disi kundër vullnetit të saj zgjodhi si kryetare politikanen me zërin e fortë, Andrea Nahles, disa anëtarë nga Unioni i rë rinjve shpërndanë pambukore, që i pranuan edhe delegatë socialdemokratë. Por nga kjo parti varet qeveria e Merkelit tani.

Vetëvrasje politike e ngadaltë

Image
Andrea Nahles

Por problemi më i madh i Merkelit erdhi nga radhët e saj. Horst Seehofer nuk ishte i vetmi konservator që u përpoq të groposte politikën e Merkelit për refugjatët. Ky konflikt bazik shpërtheu në formë të shëmtuar në rrugët e Chemnitz-it, por ende ekziston si vijë ndarëse në Gjermani, sidomos në Lindje. Në gusht kam qenë në Drezden. Aty afër 1000 anëtarë të AfD-së dhe Pegidas lëshuan parulla urrejtjeje kundër Merkelit gjatë vizitës së saj në parlamentin sakson. Nuk dallohej mirë se sa agresivitet populist iu desh Merkelit të shihte në rrugën e shkurtër nga limuzina deri në ndërtesë. 

Edhe votuesit ishin të pakënaqur me grindjen konservatore për politikën e migrimit. Kjo e detyroi Merkelin të bënte një manovër të papritur. Pas rezultateve të dobta në Bavari dhe Hesen, Merkel dha sinjalin e fillimit të fundit të karrierës së saj politike, kur bëri të ditur, se nuk do të kandidojë më si kancelare. Demontimi konservator ishte më pak spektakolar se ai i SPD-së. Megjithatë ishte një lloj vetëvrasjeje, të cilën në janar askush nuk e kishte parashikuar.

Po tani?

Image
Demonstratë e lëvizjes populiste të djathtë "Pro Chemnitz", 14.09.2018

Në fund megjithatë kthesa u mor. Qeveria e kartërt e Merkelit megjithë grindjet e forta e mbijetoi këtë vit e në dhjetor, Merkel arriti të ngushëllohej pak me fitoren e Annegret Kramp-Karrenbauer si kryetare e CDU-së, kandidatja e preferuar prej saj. Por realisht iku ajo magjia e të qenit pa alternativë pa Merkelin dhe centrizmi i saj politik po ashtu. Nëse sondazhet nuk të gënjejnë, Të Gjelbrit po kthehen në forcën e dytë politike në vend, ndërkohë që AfD mund t'ia zerë SPD-së vendin e tretë. Peizazhi politik gjerman po riformatohet. Koalicioni me bazë të gjerë me shumë gjasë për një kohë të gjatë ka për të qenë i fundit. Aleanca e së ardhmes është lidhja e konservatorëve me Të Gjelbrit. Merkel e ka preferuar këtë aleancë, por ajo nuk do ta drejtojë më.

Në fillim të vitit 2018, shumë shpresuan se Merkeli dhe Gjermania do të balanconin në skenën botërore nacionalizmin kokëfortë të qeverisë së Trumpit. Por ky ishte një iluzion. Siç konkludon me të drejtë "New Yorker": „Angela Merkel nuk është liderja e botës liberale e nuk do të bëhet." E nuk është as e sigurtë, nëse ajo do të arrijë të drejtojë Gjermaninë edhe vitin e ardhshëm./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...