Kryeministrja britanike thotë se kritikuesit e saj po e rrezikojnë demokracinë

Evropë

Kryeministrja britanike thotë se kritikuesit e saj po e rrezikojnë demokracinë

Më: 6 janar 2019 Në ora: 10:31
Theresa May

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka kërkuar nga deputetët që ta mbështesin marrëveshjen e saj për ndarjen e vendit nga Bashkimi Evropian, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për respektimin e rezultatit të referendumit dhe mbrojtjen e ekonomisë së vendit.

Përmes një shkrimi në njërën nga gazetat britanike, ajo ka thënë se kritikuesit e marrëveshjes, përfshirë përkrahësit e mbetjes së vendit në BE dhe kundërshtuesit e kësaj ideje, po rrezikojnë që ta dëmtojnë demokracinë. Sidoqoftë, sipas një sondazhi, më pak se një e katërta e votuesve e mbështesin planin e saj për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Pritet që votimi i marrëveshjes nga deputetët e kuvendit britanik të bëhet gjatë javës së ardhshme. Britanie e Madhe është ligjërisht e detyruar të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të këtij viti, pavarësisht miratimit të marrëveshjes aktuale nga deputetët. Kryeministrja e kishte arritur paraprakisht një marrëveshje me BE-në për rregullat dhe kornizën e marrëdhënieve që do të ndërtohen në të ardhmen.

Votimi i marrëveshjes nga deputetët e Dhomës së Ulët ishte paraparë të ndodhte në dhjetor të vitit të kaluar, por kryeministrja e kishte anuluar votimin për shkak të frikës se marrëveshja nuk do të kalonte. Debati për këtë çështje pritet të rifillojë në kuvend të mërkurën e ardhshme, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat