Scholz paralajmëron uljen e të ardhurave nga tatimet në Gjermani

Evropë

Scholz paralajmëron uljen e të ardhurave nga tatimet në Gjermani

Më: 7 janar 2019 Në ora: 10:29
Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz mendon se në Gjermani do të ketë vitet e ardhshme më pak të ardhura nga tatimet. Ekonomia gjermane po shënon rritje prej vitesh. Por kjo mund të ndryshojë.

"Kohërat e mira kur shteti priste gjithmonë të ardhura më të larta nga tatimet - po merr fund", deklaroi ministri i Financave, Olaf Scholz për gazetën "Bild am Sonntag". "Për vitin 2018 do të kemi teprica tatimore, por vitet e të ardhurave të majme kanë kaluar." Prej tani Scholz nuk pret më "të ardhura të paparashikueshme, e të mos flasim për të ardhura tepër të larta si më parë."

Scholz i konsideron joreale kërkesat e disa politikanëve të partive të Unionit dhe SPD për heqjen e kontributit për solidaritet. "Në negociatat e koalicionit kemi parashikuar që personat me të ardhura shumë të larta të vazhdojnë me pagesa në fondin për solidaritet", tha Scholz.

Ai që fiton një milion Euro në vit, do të paguante 24.000 Euro më pak tatime, në qoftë se pezullohet fondi i solidaritetit. "Madje edhe unë si ministër federal, me të ardhura vjetore prej rreth 180.000 Euro, do të kurseja nga heqja e këtij fondi rreth 3.600 Euro tatime në vit. Kjo nuk është rruga e duhur."

Lehtësime për buxhetet e vogla dhe të mesme

Image

Në vend të kësaj, ne duhet të lehtësojmë familjet me buxhete të vogla apo të mesme. "Unë mendoj se partnerët tanë në koalicion do t'u përmbahen marrëveshjeve", thotë Scholz. Ligji për heqjen e pagesave për solidaritet do të gjendet këtë vit para kabinetit qeveritar. Në marrëveshjen e koalicionit thuhet se 90% e tatimpaguesve do të lirohen nga pagesat për solidaritet nga viti 2021. Për buxhetin federal kjo do të thotë rreth 10 miliardë Euro më pak në vit", pohon Scholz.

Scholz ka kundërshtuar propozimet për heqjen e këtyre pagesave edhe më heret. "Kjo nuk përshtatet me politikën e qeverisë që të mos marrim borxhe të reja, sepse nuk e di nga mund të vijnë paratë e domosdoshme."

Scholz planifikon edhe ngritjen e tatimeve për koncernet e mëdha ndërkombëtare si Amazon, Facebook apo Starbucks. Ai shpreson se për këtë do të ketë edhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump. "Ne duhet ta ndalojmë ikjen e koncerneve në vendet ku paguajnë pak apo aspak takime", thotë ai. Scholz mendon se në nivelin ndërkombëtar duhet të futen tatimet minimale për koncerne. Shanset janë të mira: "Ne së bashku me Francën dhe Japoninë kemi nisur këtë temë në samitet e G7 dhe G20. Këto ide janë mbështetur edhe nga qeveria amerikane."

Një zgjidhje e këtillë në nivelin ndërkombëtar duhet të arrihet deri në vitin 2020: "Nëse kjo nuk arrihet deri në samitin e OECD në verën e vitit 2020, atëherë ne së bashku me Francën do të kërkojmë një zgjidhje në nivelin evropian. Në këtë rast, këto rregulla do të futeshin në fuqi në janar të vitit 2021, kur do të kishim rregulla të përbashkëta tatimore për koncernet e mëdha në mbarë BE."

Scholz kandidat për kancelar

Scholz thotë se ai mund të jetë edhe kandidati i ardhshëm i SPD për kancelar. "SPD dëshiron që kancelari i ardhshëm i Gjermanisë të vijë nga radhët e kësaj partie", thotë zv/kancelari i tanishëm për "Bild am Sonntag". I pyetur nëse ai do të jetë kandidat për kancelar, ai përgjigjent: "Po. Zonja Kramp-Karrenbauer ka deklaruar këto ditë se një kryetar partie duhet të jetë i gatshëm për këtë post. Kjo vlen edhe për një zëvendëskancelar të qeverisë gjermane. Por kjo temë nuk është aktualisht në rend dite, as tek partitë e Unionit dhe as në SPD."/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat