Dhunoi policët, arrestohet ish-boksieri në Francë

Evropë

Dhunoi policët, arrestohet ish-boksieri në Francë

Më: 7 janar 2019 Në ora: 20:22
Francë

Protagonisti i protestës së “Jelekëve të Verdhë”, pamjet e të cilit teksa godiste me grushte policinë bënë xhiron e botës, është arrestuar. Ai është një ish-boksier profesionist i peshave të rënda, që aktualisht punon si funksionar i thjeshtë shtetëror.

Ish-boksieri profesionist, i cili u filmua teksa godiste me grushte një oficer policie në Paris gjatë protestave të “Jelekëve të Verdhë” është arrestuar nga policia franceze.

Christophe D. sulmoi policin me uniformë që përpiqej të vinte nën kontroll protestuesit, por edhe qytetarë dhe oficerë të tjerë që u përpoqën ta ndalnin kur panë dhunën e tij. I shoqëruar nga avokati i tij, ish-boksieri i peshave të rënda u vetëdorëzua në polici dhe u vu menjëherë në gjendje arresti.

I larguar nga aktivitetet sportive, aktualisht ai shërben si një funksionar shtetëror në një zyrë të pushtetit vendor në jug të Parisit. Pamjet e tij teksa godiste me grushte oficerin kanë bërë xhiron e botës dhe janë klikuar disa milionë herë online.

Ndërkohë, në një video të vetëregjistruar përpara dorëzimit në polici, Christophe D. deklaron se reagimi i tij erdhi pasi policia po lëndonte njerëzit duke përdorur gaz lotësjellës dhe plumba gome.

Mes tyre ishte edhe bashkëshortja e tij dhe një mik i ngushtë. Ish-sportisti thotë gjithashtu se është pjesë e lëvizjes “Jelekët e Verdhë” dhe se ka marrë pjesë në të gjitha protestat e saj.

“Të tjerët përfitojnë mbi kurrizin tonë dhe sërish jemi ne, njerëzit e thjeshtë, që paguajmë”, shprehet Christophe D. Ai thekson se nuk është as i majtë e as i djathtë dhe se po proteston pasi është i shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tij, pensionistët dhe gratë e pamartuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat