Mori besimin nga parlamenti, May: Tani të gjejmë marrëveshje për Brexit-in

Evropë

Mori besimin nga parlamenti, May: Tani të gjejmë marrëveshje për Brexit-in

Më: 17 janar 2019 Në ora: 06:39
Kryeministrja Theresa May

Kryeministrja Theresa May fitoi një votë besimi në parlamentin britanik të mërkurën, përpara se të ftonte krerët e tjerë të partive për bisedime të menjëhershme, që të përpiqen të thyejnë bllokimin e marrëveshjes së divorcit të Britanisë me Bashkimin Europian.

Ligjvënësit votuan 325 në favor, kundrejt 306 kundër qeverisë May, duke konfirmuar besimin ndaj saj vetëm 24 orë pas rrëzimit të marrëveshjes së saj të tërheqjes nga Bashkimit Evropian, një humbje dërrmuese që ka çuar Britaninë në një rrugë të pa shkelur më parë.

Me numërimin mbrapsht që shkon deri në datën 29 Mars, data e vendosur në ligj për Brexit-in, Mbretëria e Bashkuar tani është në krizën më të thellë politike në gjysmë shekulli, ndërsa po lufton me atë se si, ose edhe nëse duhet të dalë nga Bashkimi Evropian, të cilit iu bashkua më 1973-shin.

Pas rezultateve të votës së besimit që u njoftuan me brohoritje nga ligjvënësit konservatorë, May tha se ajo besonte se parlamenti kishte një detyrë për të gjetur një zgjidhje për të përmbushur rezultatin e referendumit të Brexit-it në 2016-ën.

“Për këtë qëllim, unë kam propozuar një sërë takimesh midis parlamentarëve të lartë dhe përfaqësuesve të qeverisë gjatë ditëve të ardhshme”, tha May në parlament. “Dua të ftoj udhëheqësit e partive parlamentare që të takohen individualisht me mua dhe unë do të doja t’i nisja këto takime sonte”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat