Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF): Rusia paraqet dëshmi

Evropë

Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF): Rusia paraqet dëshmi

Më: 23 janar 2019 Në ora: 15:56
A e shkel Rusia Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme?

A e shkel Rusia Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme? SHBA dhe NATO thonë se po. Moska kundërshton me këmbëngulje dhe paraqet për herë të parë detaje për sistemin e diskutueshëm raketor. Koha nuk pret.

Shefi i Trupave ruse të Raketave dhe të Artilerisë, Michail Matvejevski tha se rrezja maksimale e veprimit e raketës së Tipit 9M729 është 480 kilometra. Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) i ndalon raketat me një rreze veprimi mbi 500 kilometra.

Para gazetarëve dhe të dërguarve ushtarakë të huaj, Matvejevski tha se rrezja qe konfirmuar në manovra strategjike dhe nuk mund të ndryshohet në mision.

Image
Michail Matvejevski

SHBA e akuzojnë Rusinë se me zhvillimin e 9M729, e cila është e njohur edhe me emrin SSC-8 shkel marrëveshjen e çarmatimit të vitit 1987. Edhe Aleanca mbrojtëse NATO sheh shkelje të Traktatit në rastin e këtij sistemi. Uashingtoni i pati vënë Moskës një afat prej 60 ditësh deri në 2 shkurt, për ta shkatërruar krejtësisht sistemin e raketave me koka shpërthyese (bërthamore). Përndryshe qeveria e SHBA do ta braktisë Traktatin.

Rusia ka kohë që e kundërshton pohimin se po e shkel Traktatin. Por është hera e parë që ky vend publikon informacione për raketat në diskutim. Kjo bëhet sipas Matvejevskit si shenjë e "transparencës vullnetare".

Image
Ministri i Jashtëm gjerman Maas si ndërmjetës

Sergej Riabkov, zëvendësministër i Jashtëm, tha në një aktivitet se Traktati duhet ruajtur. "Tani është radha e amerikanëve që të marrin vendim."

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas kërkoi të mërkurën paradite para udhëtimit për në SHBA se "Moska tani duhet t'i çarmatosë në mënyrë të verifikueshme raketat e ndaluara". Për Traktatin Maasi foli që të premten e kaluar në Moskë me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Image
Konferenca e shtypit në Moskë për raketat e reja

Në vizitën e shkurtër prej vetëm katër orësh të Maasit te homologu i tij Mike Pompeo në Uashington do të bëhet fjalë gjithashtu për shpëtimin e marrëveshjes. Deri tani shanset për sukses të "diplomacisë së ecejakeve" janë konsideruar të vogla. Moska deri tani nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga vendimi i saj. Njëkohësisht zëvendësministri i Jashtëm Riabkov i akuzon SHBA se e refuzojnë një ofertë për ta inspektuar sistemin raketor.

Tema të tjera të vizitës së ministrit të Jashtëm janë e ardhmja e Sirisë pas tërheqjes së shpallur të trupave të SHBA, politika ndaj Iranit dhe ndoshta edhe tubacioni i gazit midis Rusisë dhe Gjermanisë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat