Prokurori: Holanda të lirohet nga përgjegjësia për Srebrenicën

Evropë

Prokurori: Holanda të lirohet nga përgjegjësia për Srebrenicën

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 17:15
Varret e viktimave të Masakrës së Srebrenicës

Gjykatës së Lartë në Holandë iu kërkua të përmbysë një vendim që e mban këtë vend pjesërisht përgjegjës për vdekjen e rreth 300 burrave myslimanë në Srebrenicë të Bosnjës, më 1995.

Prokurori i përgjithshëm i gjykatës, Paul Vlas, tha se një gjykatë holandeze e apelit, më 2017, ka marrë vendim "të pakuptueshëm" duke u mbështetur në konstatimin se paqeruajtësit holandezë nuk kanë bërë mjaftueshëm për t'i mbrojtur burrat që kanë kërkuar strehim në bazën e tyre.

Opinioni i prokurorit do të merret parasysh kur gjykata të marrë vendimin e saj përfundimtar, më 19 prill.

Në total, 8,000 burra dhe djem myslimanë janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq, në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë.

Vrasjet janë konsideruar si masakra më e keqe në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shumë nga viktimat kanë ikur në Srebrenicë - zonë e shpallur e sigurt nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara - porse trupat holandeze nuk kanë qenë në gjendje t'i mbrojnë.

Qeveria e Holandës ka dhënë dorëheqje në vitin 2002, pasi ka pranuar dështimin e saj për t'i mbrojtur viktimat, por ka thënë se paqeruajtësit kanë qenë në "mision të pamundur".

Në vendimin fillestar në vitin 2014 është thënë se ushtarët holandezë duhet të dinin se burrat do të vriteshin nga forcat serbe të Bosnjës nëse do të detyroheshin të largoheshin nga baza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat