Putin i drejtohet kombit, teksa popullariteti i zbehet

Evropë

Putin i drejtohet kombit, teksa popullariteti i zbehet

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 13:23
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin gjatë fjalimit vjetor

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara pozicionojnë raketa me rreze të mesme në Evropë, Rusia do të shënjestrojë jo vetëm shtetet ku ekzistojnë këto armë, por edhe gjithë Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit më 20 shkurt, Putin ka përsëritur qëndrimet e tij se Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Pakti Bërthamor i vitit 1987 për të zhvilluar sisteme raketore të mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar më 2 shkurt se do të largohen nga ky Traktat në periudhë gjashtëmujore, pasi Uashingtoni dhe NATO-ja kanë akuzuar vazhdimisht Moskën për zhvillim të raketës 9M729, të njohur ndryshe edhe si SSC-8.

Rusia ka mohuar këto akuza, duke njoftuar se po ashtu do të largohet nga Traktati, i cili u ka ndaluar të dyja shteteve, zhvillimin, prodhimin dhe pozicionimin e raketave balistike me rreze 500 deri në 5000 kilometra.

Putin ka thënë se Rusia nuk përbën kërcënim për Shtetet e Bashkuara mirëpo dëshiron marrëdhënie “miqësore dhe të barabarta” me Shtetet e Bashkuara.

Përveç kësaj, Putin ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për injorim të “interesave legjitime” të Rusisë, dhe për organizim të aktiviteteve të dëmshme, duke përfshirë sanksionet ekonomike.

Putin po ashtu ka bërë thirrje për varg masash për të ngritur mirëqenien e familjeve ruse, teksa sondazhet kanë treguar se popullariteti i liderit rus ka rënë në krahasim me të kaluarën.

Në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit, më 20 shkurt, Putin ka thënë se shteti i tij tani mund të investojë në burime “kolosale” në zhvillim, duke përdorur paratë “e fituara dhe jo të huazuara”.

Putin u ka premtuar rusëve kushte më të mira për jetesë “brenda vitit”.

Putin ka dominuar politikën në Rusi për dy dekada, duke shërbyer ose si kryeministër ose si president nga viti 1999.

Më 2018, Putin, 66 vjeçar është rizgjedhur në pozitën e presidentit për një tjetër mandat gjashtëvjeçar. Kritikët kanë thënë se ai arritur të krijojë monopol duke shtypur opozitën politike dhe kundërshtarët tjerë.

Ngjarja e së mërkurës, do të shënojë herën e 15-të që Putin ka bërë një fjalim të tillë.

Bazuar në sondazhet e fundit, Putin gëzon shumë më pak respekt në krahasim me vitet e kaluara, për shkak të kushteve ekonomike. Më shumë se një në pesë rusë tani jeton në varfëri, sipas një hulumtimi të një instituti që ka lidhje me Kremlinin.

Rusia ende përballet me sanksionet ndërkombëtare për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014, si dhe për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës, zonë në të cilën më shumë se 10,300 persona kanë vdekur nga prilli i vitit 2014.

Ky adresim është vetëm një nga tri fjalimet vjetore të Putinit, duke përfshirë konferencën pyetje-përgjigjgje me publikun, si dhe konferencën me gazetarë.

Gjatë adresimit të vitit të kaluar, Putin ishte fokusuar në forcimin e arsenalit ushtarak. Ai pati prezantuar gjashtë armë më kapacitet bërthamor, duke pretenduar se ajo janë të pakrahasueshme në gjithë botën.

Burimet qeveritare kanë treguar se në fjalimin e këtij viti, Putin do të fokusohet në çështjet e politikës së jashtme.

Putin do të mbajë fjalim në kohën kur po shënohet pesëvjetori i protestave që janë mbajtur në Kiev më 2014, të cilat kanë detyruar presidentin e afërt me Moskën, Viktor Yanukovych që të largohet në Rusi.

Megjithatë, organizata ndërkombëtare, Amnesty International ka thënë se sistemi i drejtësisë për vepra penale në Ukrainë ka “ka penguar drejtësinë” sa i përket rasteve të shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e policisë gjatë këtyre protestave.

Drejtori i kësaj organizate me bazë në Londër, Colm O'Cuanachain, i ka bërë këto komente më 19 shkurt, datë e cila ishte shënuar si një nga më të rëndat në protestat e asaj kohe.

“Pesë vjet janë shumë kur është fjala për drejtësinë dhe për shumicën e viktimave, që kanë vuajtur në duart e policisë ukrainase, drejtësia nuk është duke u parë”, ka thënë ai gjatë një vizite në Kiev.

Në këto protesta janë vrarë më shumë se 100 persona dhe 2,500 të tjerë janë plagosur, për shkak të përleshjeve të protestuesve me forcat e sigurisë.

Sipas autoriteteve ukrainase, në mesin e të vdekurve përfshihen edhe 13 zyrtarë policorë.

Në fund të vitit 2018, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë ka njoftuar se ka identifikuar 441 të dyshuar, shumica prej tyrë ish-zyrtarë të zbatimit të ligjit.

Vëzhgues për të drejtat të njeriut kanë thënë se rastet e 288 individëve janë dërguar në gjykatë, derisa 52 prej tyre kanë rezultuar me vendimeve gjyqësore.

Sipas tyre, nga 48 dënimet e shqiptuara “vetëm nëntë persona janë ndëshkuar me burg, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka qenë ish-zyrtar policor”.

“Premtimet janë bërë dhe janë dhënë zotime të mëdh nga autoritetet, pas udhehqësisë së Yanukovychit, mirëpo koha dhe faktet flasin vetë”, ka thënë Cuanachain. “Derisa të gjithë ata që kanë përgjegjësi nuk mbahen përgjegjës, duke përfshirë ata që janë në pozita, këtu nuk do të ketë drejtësi”, ka shtuar ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat