Tri deputete britanike të partisë në pushtet i bashkohen Grupit të Pavarur

Evropë

Tri deputete britanike të partisë në pushtet i bashkohen Grupit të Pavarur

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 16:34
Anna Soubry, Sarah Wollaston dhe Heidi Allen

Tri deputete të Partisë Konservatore në Britani të Madhe kanë dhënë dorëheqje nga partia e tyre dhe i janë bashkuar Grupit të Pavarur të Deputetëve, i cili përbëhet nga tetë deputetë të dorëhequr nga Partia Laburiste.

Deputetet Anna Soubry, Sarah Wollaston dhe Heidi Allen ia kanë dërguar një letër të përbashkët kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May, për ta njoftuar për dorëheqjet e tyre. Ajo ka deklaruar se është e mërzitur nga këto dorëheqje, porse partia e saj do të vazhdojë të ofrojë gjithmonë politikë të denjë dhe patriotike.

Tri deputetet e larguara nga partia e kryeministres e kanë kritikuar qasjen e qeverisë ndaj Brexit-it dhe kanë thënë se ky qëndrim i ka shkatërruar të gjitha përpjekjet për ta modernizuar Partinë Konservatore.

Ato e përkrahin mbetjen e Britanisë së Madhe në BE dhe tash do t’i bashkohen Grupit të Pavarur, i cili përbëhet nga tetë deputetë që më parë ishin pjesë e Partisë Laburiste dhe që janë tërhequr pikërisht për shkak të qasjes së ish-partisë së tyre ndaj Brexit-it.

Largimi i këtyre tri deputeteve e ka zvogëluar epërsinë e shumicës parlamentare të konservatorëve në vetëm nëntë deputetë, ndërsa Allen ka thënë se në partinë e kryeministres ka edhe deputetë tjerë që janë të gatshëm t’i bashkohen Grupit të Pavarur, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat