“Shërimi i homoseksualëve” – Para ndalimit në Gjermani? - Bota Sot
“Shërimi i homoseksualëve” – Para ndalimit në Gjermani?

Evropë

“Shërimi i homoseksualëve” – Para ndalimit në Gjermani?

Më: 3 mars 2019 Në ora: 09:21
Ilustrim

Homoseksualiteti nuk është sëmundje, ky është tanimë konsesus mes mjekëve. Por grupe të krishtera konservatore duan të „shërojnë“ homoseksualët si meshkujt edhe femrat. Kjo mund të ndalohet së shpejti në Gjermani.

„Ju doni të flisni me kolegun Hawrylak. Po jua kaloj, ai është ulur pranë meje". Kur telefonojnë gazetarët në zyrën e Berlinit të deputetit socialdemokrat, Frank Junge, ata shpesh nuk duan të flasin me Frank Jungen, por me një nga punonjësit e tij.

Lucas Hawrylak, 26 vjeç, student që përgatit masterin, që ka zgjedhur si vendlindje të dytë Berlinin është aktualisht aktivisti më i kërkuar në Gjermani. Arsyeja – peticioni që Hawrylak ka startuar para gati një viti. Dhe që ka mbledhur 80.000 vota.

Kërkesa e tij: Qeveria gjermane duhet të ndalë terapitë e konvertimit seksual, që synojnë t'u ndërrojnë mendjen homoseksualëve. Terapi të tilla pjesërisht ofrohen nga mjekët dhe psikoterapistët, por edhe nga priftërinjtë. Masat arrijnë nga trajtime homoepatike deri tek teknikat e psikoterapisë dhe kushtëzimit.

Mjekë që përzënë demonët

Image
Ndalim i "shërimit të homoseksualëve", aktivisti Lucas Hawrylak me Jacky-Oh Weinhaus, dhe Amy Strong (Marisa Sann)

Praktika të tilla janë të njohura nga komunitetet konservatore të krishtera në SHBA. Sipas llogaritjeve, afër 700.000 vetë kanë marrë pjesë në një terapi të tillë, më shumë gjysma fëmijë dhe të rinj. Por edhe në Gjermani njihet praktika e „shërimit të homoseksualitetit". Sidomos nga qarqet evagjelikale vijnë njoftimet, që këshillojnë të rinjtë të heqin dorë nga orientimi seksual që kanë. Kështu rrëfen Bastian Melcher për Deutsche Wellen, i rritur në një familje me rregulla të forta evangjeliste, e që bëri përpjekje për ta „përzënë" homoseksualitetin e tij. Një mjek e këshilloi që përmes vënies së dorës si terapi ai mund „t'i përzinte demonët". Edhe mes mjekëve katolikë ka nga ata që duan „të shërojnë" homoseksualët. Por e pyetur nga Deutsche Welle, Konferenca e Ipeshkëve Gjermanë përgjigjet se „është tejet skeptike" kundrejt terapive të konvertimit.

"Homoseksualiteti nuk ka nevojë për shërim"

Megjithëse në vitet e fundit pranueshmëria e homoseksualëve është rritur në shoqëri, ata përballen ende me paragjykime dhe diskriminim. Sipas një studimi të vitit 2017 të Qendrës Federale Kundër Diskriminimit në Gjermani, 18,3% e gjermanëve e shohin seksualitetin si „të panatyrshëm" dhe 9,7% si „imoral". Ndërkohë që Dhoma Federale e Mjekëve Gjermanë vëren se „homoseksualiteti nuk është sëmundje, dhe nuk ka nevojë për shërim". Terapitë e konvertimit bien kështu ndesh me konsesusin mes mjekëve dhe terapistëve.

"Terapi" me efekte të rënda anësore

Terapi të tilla mund të lenë gjurmë të dëmtimeve serioze psikike tek ata që e kryejnë një terapi të tillë, sidomos tek të rinjtë dhe fëmijët. „Lesbiket dhe meshkujt homoseksualë kanë nevojë për mbështetje dhe jo një terapi për të mos qenë ndryshe nga të tjerët", shprehet Uwe Wetter, që është aktiv si psikoterapist prej 30 vitesh. Një terapi që synon ndërrimin e seksualitetit të dikujt mund të sjellë „dëmtime të identitetit, personalitetit, depresione, vetëndëshkim dhe vetëlëndim", thekson ish-zëvendëspresidenti i Shoqatës Gjermane të Psikologëve dhe Terapistëve". Aktivistët prej kohësh kërkojnë ndalimin e këtyre terapive.

Të mbrohën fëmijët dhe të rinjtë

Se çfarë do të thotë kjo e shpjegon Lucas Hawrylak: "Ne duam së pari një ndalim të qartë të terapive të konvertimit për fëmijët e të rinjtë, për minorenët. Përveç kësaj për terapitë e konvertimit nuk duhet të ofrohen reklama në internet. E treta ndalimi i tyre për të rriturit do të ishte shumë, shumë i dëshiruar." Kërkesa të tilla nuk janë të reja, por ato nuk kanë gjetur ende rezonancë politike. Qeveria gjermane në korrik 2018 pati deklaruar, se nuk planifikon ndalimin e terapive të konvertimit seksual.

Por Lucas Hawrylak nuk donte ta pranonte këtë, prandaj ai nisi një fushatë të gjerë për ndalimin e „shërimit të homoseksualëve", ku u bashkuan disa organizata aktiviste. Nënshkrimet e mbledhura u dorëzuan me efekt mediatik në Ministrinë e Drejtësisë. Por jo vetëm kaq. Aktivistët rreth Hawrylak kryen shumë punë lobiiste politike duke biseduar rregullisht me politikanët. Me sa duket me sukses. Tani çështja nuk shtrohet, nëse do të bëhet ndalimi, por nëse do të shtrohet fillimisht në Bundestag apo në Këshillin Federal. Në tre lande gjermane si në Shlesvig-Holshtajn, Bremen dhe Hesen ka plane për ta paraqitur në Këshillin Federal një propozim për ndalimin e terapive të konvertimit.

Gati asnjë parti nuk është kundër

Image
Jens Spahn

Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn është shprehur këtë javë, se „shpejt" do të kujdeset që të ndalen këto terapi. Ai nuk pret ndonjë rezistencë të madhe nga qarqet konservatore brenda unionit. „Nuk besoj, se ndokush në grupin parlamentar të unionit është përkrahës i terapive të konvertimit." Edhe ministrja gjermane e Drejtësisë, Katharina Barley ka sinjalizuar mbështetje për Jens Spahn që së bashku të punojnë për një ligj „për ndalimin e pseudoterapive". Edhe Të Gjelbrit vetë kanë sjellë në parlament një ligj për ndalimin e „shërimit homoseksual" të minorenëve. Ndërsa zëdhënësi i partisë liberale, FDP, Jens Brandenburg kërkon ndalimin „mbarëeuropian të këtyre terapive konvertimi poshtëruese ndaj njeriut." Madje vetë partia Alternativa për Gjermaninë, AfD që angazhohet për shfuqizimin e martesës mes së njëjtës gjini i refuzon terapitë e konvertimit. Zëdhënësi për çështjet shëndetësore në këtë parti, Axel Gehrke theksoi se „jemi të hapur ndaj ndalimit me ligj të terapive të konvertimit".

Lucas Hawrylak shprehet, se do të vazhdojë, të jetë aktivë, nëse do të ketë rezistencë për këtë çështje në Këshillin Federal apo Bundestag. Shumë gjermanë ndoshta nuk kanë dëgjuar për këtë, por ai beson,se se ata nuk do të jenë kundër ndalimit të konvertimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...