Estonia mban zgjedhje parlamentare

Evropë

Estonia mban zgjedhje parlamentare

Më: 3 mars 2019 Në ora: 12:10
Estoni

Qytetarët në Estoni sot votojnë në zgjedhjet parlamentare, ku partia pro-ruse e kryeministrit Juri Ratas, Partia Qendrore, pritet të fitojë më së shumti ulëse në Parlamentin prej 101 anëtarësh.

Pothuajse një milion persona kanë të drejtë vote dhe ata mund të votojnë për 10 parti politike dhe 15 kandidatë të pavarur.

Partia Qendrore, që gëzon mbështetje në mesin e popullsisë etnike ruse – që janë 25 për qind e popullatës – do të përballet me partinë e qendrës së djathtë, Partia për Reforma, që është pro-perëndimore, që evokon për politika ekonomike më liberale. Po ashtu, në garë janë edhe Social Demokratët, politikat e të cilëve janë të fokusuara në mirëqenie sociale.

Sondazhet tregojnë se nacionalistët e krahut të djathtë, Partia Popullore Konservative, e njohur si EKRE, ka fituar fuqi në vitet e fundit. Kjo parti ka bërë fushatë me një platformë anti-migrantëve.

Sipas një sondazhi të transmetuesit publik ERR, Partia Qendrore me gjasë do të fitojë 28 për qind të votave. Partia për Reforma pritet të marrë 24 për qind, ndërkaq EKRE 17 për qind. Social Demokratët dhe Konservatorët pritet të marrin nga 10 për qind të votave.

Më 2016, kryeministri aktual, Ratas, mori udhëheqjen e Partisë Qendrore dhe krijojë një koalicion prej tri partive për të formuar Qeverinë.

Rusia ka vëzhguar për nga afër çështjet ushtarake dhe të sigurisë të Estonisë dhe vendeve fqinje në Baltik, si në Letoni dhe Lituani, që prej se këto shtete u anëtarësuan në NATO.
Estonia kishte shprehur shqetësime pasi Moska aneksoi Krimenë nga Ukraina më 2014.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat