BE-ja i konsideron "të vështira" bisedimet për Brexit

Evropë

BE-ja i konsideron "të vështira" bisedimet për Brexit

Më: 6 mars 2019 Në ora: 17:36
Flamuri i BE-së në Londër.

Bisedimet për ndryshimin e marrëveshjes rreth largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian nuk kanë marrë ndonjë kthesë, kanë thënë zyrtarët evropianë të mërkurën, një javë para se ligjvënësit britanikë të votojnë planin për t’i ikur një Brexiti kaotik.

Diplomatët kanë thënë se bisedimet në Bruksel, të udhëhequra nga avokati i kryeministres britanike, Theresa May, Geoffrey Cox, kanë dështuar që të krijojnë një marrëveshje të re, derisa kanë mbetur pothuajse tre javë kur Britania pritet të largohet nga blloku evropian.

Në zemër të diskutimeve mbetet kufiri irlandez, dhe negociatat nëse duhet pasur kufizime në kufi në mes të Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore.

Kryeministrja May tani kërkon kufizim kohor të garantuar për këtë çështje, duke thënë se në të kundërtën doganat e Britanisë do të mbesin të mbyllura përgjithmonë me ato të BE-së.

Negociatori i Bashkimit Evropian për Brexit, Michel Barnier ka thënë se “ndonëse bisedimet janë duke ndodhur në një atmosferë kontruktive, diskutimet kanë qenë të vështira”.

“Ende nuk është identifikuar ndonjë zgjidhje në këtë çështje”, ka thënë zëdhënësja, Margaritis Schinas.

Cox ka thënë të mërkurën se diskutimet në Bruksel kanë qenë të detajuara, mirëpo duhet të vazhdojnë ende.

“Nuk ka shumë mundësi se do të ketë marrëveshje para vikendit”, ka thënë një zyrtar i BE-së.

“Ne jemi duke u përgatitur për një vikend pune”.

Diplomatët evropianë kanë spekuluar se nëse negociatorët arrijnë të kenë një marrëveshje deri në fund të javës, May mund të shkojë në Bruksel për t’i dhënë mbështetje politike paktit dhe më pas atë pak ta dërgojë në Londër, një ditë para se Parlamenti Britanik të votojë për të.

Liderët e 28 vendeve të BE-së, përfshirë May do të vendosin më pas në samitin e mbajtur më 21-22 mars, nëse duhet të shtyjnë datën për Brexit, që fillimisht ishte caktuar më 29 mars të këtij viti.

Blloku evropian do të monitorojë veprimet e parlamentit britanik javën e ardhshme, mirëpo pak zyrtarë të BE-së besojnë se marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti britanik, dy muaj pasi pakti i parë është refuzuar.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja në krahasim me 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat