Kanë mbetur në Gjermani mijëra luftëtarë të IS të pazbuluar?

Evropë

Kanë mbetur në Gjermani mijëra luftëtarë të IS të pazbuluar?

Më: 9 mars 2019 Në ora: 12:07
Ilustrim

Drejtësia në Gjermani i ka injoruar mijëra të dhëna gjatë krizës së refugjatëve për kriminelë të mundshëm lufte mes azilkërkuesve, njoftojnë mediat gjermane.

Gjatë krizës së refugjatëve 2015/16 qindramijëra vetë erdhën për në Gjermani. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha: „Ne do ia dalim mbanë kësaj!". Por autoritetet u mbingarkuan. Edhe sot, vite më vonë përpunimi i kërkesave të azilit ka ngecur.

Tani kjo mbingarkesë shfaqet në një deklarim aktual të Ministrisë së Brendëshme, të cituar nga gazeta „Bild". "Numri i madh i të dhënave për raste problematike ka pamundësuar që përshembull të gjitha ato të ndiqen duke i marrë direkt në pyetje personat përkatës në polici".

Por më problematikja këtu është që këto njoftime kanë pasur të bëjnë me „krime sipas së drejtës ndërkombëtare". Në atë kohë 2015/16 – ka pasur 3800 njoftime të tilla. Vetëm 28 prej tyre u hetuan.

Prej nga vijnë udhëzimet?

Burimi i këtyre njoftimeve kanë qenë në pjesën më të madhe të rasteve punonjës të BAMF, që janë përgjegjës për përpunimin e kërkesës së azilit në Gjermani. Rreth 100 njoftime kanë ardhur këto dy vite në fjalë nga burime të tjera.

Këto u dërguan më tej në rrugë zyrtare, në Qendrën qëndrore për luftimin e krimeve të luftës (ZBKV). ZBKV e quan veten "War Crimes Unit". Të dy institucionet, pra BAMF dhe ZBKV, janë nën Ministrinë e Brendëshme.

Krime kundër njerëzimit

ZBKV ka listuar nën „vepra penale kundër së drejtës ndërkombëtare", një radhë veprash penale. Anëtarësia në një organizatë terroriste, siç është shteti islamik (IS), është njëra prej tyre. Në to bëhet fjalë edhe për „krime kundër njerëzimit, genocid, krime lufte dhe krime agresioni".

Ministria e Brendëshme nuk jep përgjigje për pyetjen sa punonjës janë të punësuar në ZBKV, të paktën jo publikisht. Pyetja është bërë në prill 2018 nga fraksioni i AfD, për punën e BZKV.

Dihet që prej një viti

Në letrën që jepte përgjigje një vit më parë, Ministria e Brendshme i dha disa shifra, por në atë kohë ato nuk dolën në titujt e gazetave. Ato u bënë vetëm tani publike, sepse fraksioni i FDP i kërkoi.

Në letrën me të cilën ministria i kthen përgjigje AfD, del se pasi janë marrë njoftimet vetëm disa prej tyre janë parë me vëmendje. Sipas tyre, më 2015 u arrestua një person dhe më 2016 u arrestuan dy persona, që kishn bërë vërtet krime kundër njerëzimit. Nëse ata janë dëbuar nga vendi apo jo, nuk është e qartë.

Reagime të ashpra nga FDP dhe AFD

FDP ka kërkuar tani që të nxirren koseguenca. "Më 2015 dhe 2016 ka pasur për qindra udhëzime një proces hetimor," thotë politikania e FDP, Linda Teuteberg në një deklaratë me shkrim, dërguar edhe në DW. „Ministri i Brendshëm Seehofer duhet të shohë edhe një herë duke ndihmuar me forca të tjera autoritetet hetimore, në mënyrë që asnjë nga kriminelët të mos shpëtojë pa u dënuar."

Ministri i Brendshëm reagoi ndryshe nga zëdhënësi i tij, që kishte deklaruar se numri i madh i njoftimeve nuk e kishte bërë të mundur që ato të hetoheshin direkt. Kurse Seehofer tha për disa agjenci lajmesh, se njoftimet „nuk është se janë vënë mënjanë nga autoritetet e sigurisë, por janë ndarë sipas prioritetit të tyre dhe janë ndjekur edhe më tej". Megjithatë do të përpilohet „një raport shumë i saktë" për mundësitë e mostregimit të kujdesit të duhur.

Seehofer thotë se para se të ndërmarrë hapa të tjerë do të presë daljen e raportit. Seehofer ka qenë 2015/16 ministër i Brendshëm.

Sipas informacioneve të fraksionit të FDP, raporti midis marrjes së njoftimeve dhe kryerjes së hetimeve është përmirësuar shumë pak. Nga 600 njoftime më 2017, ka pasur vetëm 46 procese hetimore. Në vitin 2018 ka pasur 550 njoftime dhe janë kryer 49 procese hetimore./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat