May përballet me një humbje tjetër në parlamentin britanik

Evropë

May përballet me një humbje tjetër në parlamentin britanik

Më: 10 mars 2019 Në ora: 12:42
Kryeministrja May

Udhëheqësit e dy grupeve parlamentare që janë kundër qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE kanë thënë se kryeministrja e vendit do të përballet edhe me një humbje tjetër në kuvend sepse marrëveshja e saj nuk do t’i marrë votat e mjaftueshme për miratim.

Kur kanë mbetur vetëm edhe 19 ditë para se të përfundojë afati për largim të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, kryeministrja po vazhdon të bëjë përpjekje që t’i sigurojë votat për marrëveshjen e arritur paraprakisht mes kabinetit të saj dhe zyrtarëve të BE-së. Procesi i votimit në kuvend do të mbahet të martën e javës që po vjen.

Nëse marrëveshja aktuale nuk i merr votat e mjaftueshme të deputetëve, besohet se kryeministrja May do të jetë e detyruar të bëjë kërkesë që ky proces të shtyhet. Ekzistojnë dyshime se kjo lëvizje do të ndikonte që vendimi për t’u larguar nga BE-ja të anulohet plotësisht. Në anën tjetër, largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja pa marrëveshje pritet të shkaktojë kaos ekonomik.

Parlamenti britanik e kishte refuzuar marrëveshjen e kryeministres May në janar me një numër rekord të votave kundër saj. Ky rezultat e kishte shtyrë shefen e qeverisë të shkojë në Bruksel për të kërkuar ndryshime në marrëveshje lidhur me shmangien e kontrolleve kufitare mes Irlandës dhe Irlandës Veriore.

Sidoqoftë, përpjekjet e kryeministres për ndryshim të marrëveshjes deri tash kanë dështuar për shkak se zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë shprehur vullnet për t’i plotësuar kërkesat e saj dhe Britania e ka refuzuar një ofertë të BE-së për një lloj kompromisi, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat