May tenton sërish të fitojë përkrahje për marrëveshjen e Brexitit

Evropë

May tenton sërish të fitojë përkrahje për marrëveshjen e Brexitit

Më: 15 mars 2019 Në ora: 12:20
Kryeministrja britanike, Theresa May.

Kryeministrja britanike, Theresa May do të tentojë të bindë ligjvënësit britanikë për herë të tretë, që të përkrahin planin e saj për Brexit, në ditët në vijim.

Deputetët e Parlamentit britanik do të votojnë marrëveshjen e saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian më 20 mars, pasi ligjvënësit janë pajtuar për t’i kërkuar Bashkimit Evropian shtyrjen e datës për Brexit, proces i cili fillimisht ishte planifikuar të niste më 29 mars.

Ata janë duke kërkuar siguri tjera ligjore lidhur me marrëveshjen e ofruar nga kryeministrja May.

Ministri i Kabinetit britanik, David Lidington ka thënë se në Evropë ekziston një “padurim i vërtetë” dhe nëse deputetët nuk pajtohen për marrëveshjen, BE-ja mund të kërkojë shtyrje të këtij procesi për më shumë se një vit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka thënë se liderët evropianë do të jenë të hapur për të diskutuar shtyrjen “nëse Mbretëria e Bashkuar konsideron se është i nevojshëm rishqyrtimi i strategjisë për Brexit”.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Çështja kryesore e diskutimit mbetet kufiri me Irlandën dhe ndikimi që ai mund të ketë në rrafshin ekonomik pas 29 marsit.

Gjatë kësaj jave, deputetët britanikë kanë votuar kundër largimit nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje paraprake, dhe kanë përkrahur idenë e shtyrjes së Brexitit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat