Evropa ime: Në Plovdiv fillon Evropa

Evropë

Evropa ime: Në Plovdiv fillon Evropa

Më: 17 mars 2019 Në ora: 10:21
All we need is P(love)div – Gjithçka që ju nevojitet është Plovdiv. Në analogji me këngën e Beatles-ave një burrë në Plovdiv bën reklamë për kryeqytetin kulturor të Evropës në vitin 2019.

Në vitin 2019 Plovdivi është një nga dy kryeqytetet kulturore të Evropës. Christopher Nehring e njeh atë vend prej shumë kohësh.

Kur u ngjita për herë të parë në një nga (ndërkohë vetëm) gjashtë kodrat e Plovdivit, Bullgaria ishte ende shumë larg. Vendi nuk ishte në BE, as në letra e as në mendje. Dhe sigurisht, as në mendjen time. Ishte udhëtimi im i parë që nga fëmijëria në një vend jashtë BE-së. Sa të vogël që ia bën njeriu ndonjëherë botën vetes! Ndërsa sot, kur mendoj për Plovdivin, nuk kam parasysh vetëm Bullgarinë, por Evropën.

Vështrimi im ndaj këtij qyteti që shtrihet në Bullgarinë qendrore, në rrafshnaltën e Maritsas, mes maleve të Ballkanit dhe maleve Rodope, në këtë vit vendimtar për Evropën, 2019-ën, nënvizon atë çka nënkuptohet me Evropë dhe BE. Ajo vërtet që as t'i zgjidh e as t'i heq problemet, ajo nuk është as ilaç për gjithçka e as si ato fundet e përrallave "jetuan të lumtur deri në fund të ditëve të tyre ". Por ajo të zgjeron horizontin, është një hapësirë ku disa gjëra janë të përbashkëta, të tjera na ndajnë, ku jo gjithçka është gjithmonë shumë e mirë, por që në vitet e fundit është afruar shumë mes veti."
 
Qyteti i shtatë kodrave

Në vitin 2019 BE-ja do të jetë e pranishme përsëri në Plovdiv, siç ka qenë në ato ditët entuziaste në prag të anëtarësimit në BE, në vitin 2007. Si një prej dy kryeqyteteve të kulturës (së bashku me Materan e Italisë), për një vit të tërë, në Plovdiv do të jetë mysafire Evropa. Ky nder shkoi për herë të parë në Bullgari dhe ishte një mrekulli e vogël që Plovdivi arriti të fitonte kundrejt Sofjes. 

Qyteti i shtatë kodrave historike, në të cilin kanë lënë gjurmët e tyre trakët, grekët, romakët dhe osmanët, triumfoi me historinë dhe rëndësinë e tij kulturore - dhe sigurisht pak edhe me amfiteatrin historik në qendër të qytetit të vjetër. Gjatë gjithë vitit, pra, BE-ja do të jetë e prekshme në Plovdiv - dhe Plovdivi i prekshëm për pjesën tjetër të Evropës. Shpresa se Evropa është kthyer në Plovdiv. "sëbashku" – kjo është motoja e Kryeqytetit të Kulturës 2019.  

Sigurisht, unë nuk isha i vetmi që nuk e mbante mend se kur ishin festuar me kaq entuziazëm për herë të fundit këto dy ide. Ç'është e vërteta, po t'u hedhësh nga një vështrim gazetave të përditshme nga Portoja në Bukureshtit, nga Dublini në Palermo të krijohet përshtypja se tani për tani nuk janë të shumta ato gjëra që e mbajnë bashkë këtë kontinent. Dhe shpresa për të qenë akoma më "së bashku" - e thënë pak me kujdes - nuk ka qenë shumë e madhe në këtë vit, që pritet të jetë edhe viti i Brexit-it.

Bullgaria nuk bën përjashtim në tenorin e krizës së BE-së. Nga njëra anë, qindra mijëra bullgarë kanë emigruar në Evropën Perëndimore, Veriore dhe Qendrore që kur vendi i tyre është pranuar në BE. Si emigrantë dhe studentë dhe - siç po lexojmë çdo dy ditë në artikujt e gazetave - edhe si migrantë në sistemet sociale. 

Ndërsa një pjesë e mirë e bullgarëve përfiton në një formë apo një tjetër nga liria e lëvizjes dhe solidariteti brenda BE-së, vendi vetë radhitet ndër ato vende që janë shumë skeptike përsa u përket migrantëve që hyjnë në BE nga jashtë. 

Euforia e pranimit

Afro 13 vjet më parë, Plovdivi kremtoi tërë entuziazëm anëtarësimin e Bullgarisë në Bashkimin Evropian. Në atë kohë Bullgaria ishte e sigurt se tani  e tutje çdo gjë do bëhej më mirë, do hapeshin vende pune, do rriteshin rrogat dhe do të binte niveli i korrupsionit, niveli i jetesës do të ngrihej, niveli i kriminalitetit do të ulej. Dhe njerëzit do të udhëtonin më të lirë, si qytetarë krenarë të BE-së, pa vizat dhe kufizimet e bezdisshme. Bullgarët nuk do të quheshin më "ballkanezë", siç thoshte Bismarck-u, por evropianë të klasit të parë. Kështu do të bëhej, BE-ja do të gjente një mënyrë se si ta rregullonte.  
 
Një numër i madh i këtyre shpresave, e këtë mund ta ndjeje nga viti në vit, u zhgënjye, sikurse dhe pritej. Dhe shumë shpejt u dëshmua sesa pak ndikim do të kishte anëtarësimi në BE mbi jetën e përditshme të njerëzve, përveç ca fjalëve të ngrohta ose paralajmëruese. Korrupsioni, pagat, infrastruktura dhe kualiteti i jetesës, për të gjitha këto gjëra njerëzit duhej të merreshin vetë. Entuziazmi u mpak, Plovdivi dhe Evropa kanë nisur të dorëzohen.  

"Së bashku" si motoja e Kryeqyteti Evropian të Kulturës, Plovdivit, duhet të vlejë në radhë të parë për komunitetet  fetare (ortodoksët, katolikët, hebrenjtë, myslimanët) dhe grupet etnike (bullgarët, turqit, romët dhe armenët) në qytetin e Plovdivit dhe për bashkëjetesën e tyre mijëvjeçare", tha kryetari i bashkisë, Ivan Totev. Metaforikisht, kjo moto përshtatet edhe për të gjithë Evropën që tani e ka kapluar kriza.

Ndasitë për shkak të origjinës, kombësisë, fesë, gjinisë apo orientimit seksual e deri te statusi social dhe preferencat ushqimore, duket se në të gjithë kontinentin, madje në të gjithë botën, gjatë viteve të fundit, kanë fituar më shumë rëndësi sesa të përbashkëtat. 

Deri më tani, kontributet bullgare për kapërcimin e këtyre dallimeve dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore evropiane të së ardhmes kanë qenë të vogla - si brenda vendit ashtu edhe në nivel evropian. Motoja mund të jetë edhe më e shkëlqyeshme nëse kryeqyteti kulturor Plovdiv, në këtë vit të Brexit-it do të japë  impulse të reja për një "së bashku" të re evropiane. Në mos në arenën e madhe politike, së paku në një masë më të vogël. 

Image
Kremtimet për çeljen e kryeqytetit kulturor të Evropës

Njihuni me Bullgarinë përmes Plovdivit

Plovdivi e ka arritur këtë njëherë, edhe pse vetëm për rastin tim. Plovdivi ka zgjeruar botën time krejt personale - dhe do të jetë për mua përgjithmonë takimi im i parë aktiv me Bullgarinë dhe BE-në.

Shumë turistë që po vijnë në kryeqytetin kulturor të Plovdivit në vitin 2019 do të ndjehen ngjashëm. Kjo nuk duhet të jetë diçka e keqe - përkundrazi. Është një fillim i shkëlqyer për të njohur dhe vlerësuar BE-në në Bullgari. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është një festë bullgare. Ja si shkon ajo: Së pari, një raki rrushi shtëpie (rakia, 50ml një teke, 100ml dopio), më pak është e ndaluar, më shumë është e mirëpritur), kësaj i shtohet e famshmja shopka: domate, kastravecë dhe djathë të bardhë. Ndoshta kjo është sallata kombëtare, sepse ka brenda tre ngjyrat e flamurit bullgar (të bardhën, të gjelbrën, të kuqen). Kur kam shprehur këtë mendim për herë të parë me zë të lartë, më kanë parë me dyshim. Me sa duket, askush nuk e kishte vënë re atë më parë.

Meze dhe politikë

Këtyre u shtohet edhe kaçkavalli ose djathi i bardhë dhe ca meze, si suxhukë, një lloj sallami i tharë në ajër, apo pastërma derri ose gjedhi. Kush mendon se këtu duhej të mbaronte menyja, ka të drejtë. Por ky është vetëm fillimi. Tani vjen gjella kryesore: qofte skare, qebapë, bërxolla derri, musaka, gjyveç. 

Image
Christopher Nehring

Këto ushqime janë tepër të rëndësishme. Sepse këtu vendoset bazamenti për t'u ndjerë mirë fizikisht, por edhe për të filluar një debat për politikën, debat ky që sipas traditës së mirë të trashëguar që nga kohërat e komunizmit preferohet të zhvillohet në kuzhinë. Dhe në fakt, më shumë se një javë nuk rri dot në Bullgari pa u ftuar në një darkë të tillë. 

Dhe ku ka kohë më të mirë për të biseduar për këtë "së bashku", për atë çka na lidh ose na ndan ne në Evropë, se pranë sofrës bullgare në vitin e kryeqytetit kulturor Plovdiv? Dhe me një verë ose një raki të mirë bullgare dhe një grimë humori dhe ironie të shëndoshë të ngresh një dolli për Brexit-in, krizën e BE-së, emigracionin, turizmin social dhe si gjerman, edhe çerekfinalen e famshme të Botërorit të vitit 1994, kur ekipi gjerman humbi ndaj atij bullgar, një ngjarje, që në Bullgari festohet ende.

Christopher Nehring, i lindur në vitin 1984, është drejtor hulumtimesh në Muzeun Gjerman të Spiunazhit në Berlin. Ka studiuar histori të Evropës Juglindore dhe te Kohës së Re në Heidelberg dhe Shën Peterburg dhe në vitin 2016 ka promovuar për një temë historisë së shërbimit të fshehtë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat