May i kërkon ndihmë opozitës. Corbyn: Gati të takohem për “Brexit”-in

Evropë

May i kërkon ndihmë opozitës. Corbyn: Gati të takohem për “Brexit”-in

Më: 3 prill 2019 Në ora: 14:33
Jeremy Corbyn

E gjendur përballë një ngërçi thuajse të pakapërcyeshëm, Theresa May i shtrin dorën e bashkëpunimit opozitës, ndërsa qeveria britanike përgatitet të kërkojë një zgjatje të nenit 50, me shpresën të ketë kohë mjaftueshëm për gjetjen e një zgjidhjeje.

May sqaroi, megjithatë, se nuk dëshiron që vendi të marrë pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

“Zgjatja duhet të jetë sa më e shpejtë dhe do të marre fund në momentin që do të arrihet një marrëveshje. Pavarësisht përpjekjeve të ligjvënësve, procesi në Dhomën e Komunëve nuk arriti të prodhonte një përgjigje, ndaj unë po kaloj në veprim për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje. Ofroj të ulem në tryezën e bisedimeve me kreun e opozitës, e së bashku të përpiqemi të biem dakord mbi një plan, i cili të garantojë daljen nga Bashkimi Europian me një marrëveshje”, tha May.

Kreu opozitar Jeremy Corbyn u shpreh i gatshëm të takohet me Mayn dhe se përpjekja për t’i dhënë fund këtij bllokimi është edhe përgjegjësi e tij.

“Ne duhet ta kemi një diskutim me kryeministren. Duhet të sigurohemi që Parlamenti ta ketë mundësinë të votojë mbi propozime të cilat ta ndalojnë një shkëputje nga blloku pa marrëveshje. Duhet të sigurohemi që vendi ynë nuk do të rrënohet në fund të këtij procesi”, tha Jeremy Corbyn.

Fillimisht, Britania duhej të largohej nga blloku më 29 mars, por shefja e ekzekutivit arriti të merrte miratimin e Brukselit për një shtyrje të shkurtër të afatit, e tani afati i fundit i vendosur nga BE-ja është data 12 prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat