Kultura e armëve, Zvicra nën presionin e Bashkimit Europian

Evropë

Kultura e armëve, Zvicra nën presionin e Bashkimit Europian

Më: 4 prill 2019 Në ora: 06:10
Ilustrim

Zvicra, ku kultura e armëve ka rrënjë të thella, ia ka dalë të evitojë debatet kombëtare mbi pronësinë e armëve, që kanë konsumuar vende të tjera.

Por në një shtet ku shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të thotë që shumëkush është familjar me armët, zgjedhësit do të munden që në një referendum në maj, të sprapsin reformat kundër armëve, të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Dhe sipas të dhënave, një numër i madh zviceranësh mbështesin të drejtën e qytetarëve për të pasur armë.

“Deri në 2006-ën, numri i licencave për blerje armësh të lëshuara ishte rreth 500 në vit, tani kemi arritur në mbi 2000 dhe kjo rritje është shumë e fortë”, tha Josef Rust, shef i regjistrimit të armëve në Lucernë.

Në qytetin lindor të Lucernës, javën e shkuar, në një nga panairet më të mëdha të armëve, shitësit dolën jo pak të kënaqur, kjo edhe për shkak të oreksit të shtuar të të moshuarve dhe femrave, që paraqesin si pretekst nevojën për vetëmbrojtje, duke e lidhur këtë me emigracionin, rrezikun e terrorizmit dhe krimin në rritje.

Zvicra renditet e 16-a në botë për sa i takon shkallës së lartë të pronësisë së armëve, e tani po detyrohet të përballet me tensione mes traditës së saj dhe një kërkese nga BE për të ashpërsuar ligjet mbi armët.

“Zvicra është e njohur për ndërmjetësim nëse vende të tjera kanë probleme. Ne i zgjidhim problemet tona jo me armë, por me diskutime, negociata dhe gjëra të tilla. Ndaj kemi një shkallë shumë të ulët vrasjesh në vend”, tha Markus Thommen, koleksionist armësh.

Vendi nuk është pjesë e BE, por i përket rajonit Shengen ku udhëtohet pa viza, ndaj duhet t’i bindet disa rregullave të vendosura në bllok.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat