Rrokaqielli që çoi në dorëheqjet e katër zyrtarëve në Bullgari

Evropë

Rrokaqielli që çoi në dorëheqjet e katër zyrtarëve në Bullgari

Më: 4 prill 2019 Në ora: 16:50
Rrokaqielli “Shekulli i Artë” në Sofje

Një rrokaqiell në Sofje ishte prezantuar si një “shenjë ikonë” që do ta bënte Bullgarinë “një vend dinjitoz evropian”.

Por, tani që rrokaqielli “Shekulli i Artë” është ngatërruar në një skandal të pasurive të paluajtshme, që përfshin edhe anëtarë të partisë qeverisëse në Bullgari GERB, është e paqartë nëse firma e ndërtimit Arteks Engineering do ta mund ta përfundojë ndërtesën 34-katëshe.

E ardhmja e projektit varet nga vendimi i gjykatës për një çështje kyçe: A ka skaduar leja e ndërtimit për Arteksin në vitin 2017, siç thonë kundërshtarët e projektit? Apo, a është ripërtërirë leja automatikisht në janar të 2017-ës, kur ligjvënësit e GERB-it e kanë ndryshuar Kodin e Ndërtimit në Bullgari?

Arteks argumenton se amendamenti i GERB-it për Aktin e Planifikimit Hapësinor nënkupton se leja është e vlefshme deri në vitin 2020 dhe se firma mund të vazhdojnë punën.

Firma citon një letër të vitit 2017 nga anëtari i GERB-it, Valentin Yovev, zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike.

Në atë letër, Yovev u ka thënë zyrtarëve komunalë të Sofjes se leja për Arteks-in duhet të zgjatet si rezultat i ndryshimeve në Kodin e Ndërtimit.

Image
Kështu do të dukej rrokaqielli “Shekulli i Artë” në Sofje, nëse ndërtimi i saj do të përfundonte.

Por, që nga 22 marsi, kur Shërbimi i Bullgarisë i Radios Evropa e Lirë ka nisur të raportojë për disa marrëveshje të dyshimta të pasurive të paluajtshme midis Arteks-it dhe politikanëve të GERB-it, zyrtarët në Sofje kanë hequr dorë nga deklaratat se leja për Arteks-in është ende e vlefshme.

Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe e Punëve Publike nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë rreth letrës së Yovevit apo nëse ai e konsideron projektin e rrokaqiellit në lagjen Lozenets të Sofjes të ligjshëm.

Katër anëtarë të koalicionit qeverisës të GERB-it kanë dhënë dorëheqje për shkak të hetimeve të marrëveshjeve fitimprurëse që ata kanë bërë me Arteks-in, pas ndryshimit të Kodit të Ndërtimit.

Këta zyrtarë përfshijnë nënkryetarin e GERB-it, Tsvetan Tsvetanov, ministren e Drejtësisë, Tsetska Tsacheva, zëvendësministrin e Energjisë, Krasimir Parvanov, dhe zëvendësministren e Sporteve, Vanya Koleva.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Sofje dhe Komisioni Anti-Korrupsion i Bullgarisë po hetojnë kushtet e marrëveshjeve të tyre të pronës me Arteks-in.

Radio Evropa e Lirë ka zbuluar se ata kanë blerë apartamente luksoze nga Arteks-i që nga fillimi i viti 2018, me çmime që ishin 30 deri në 50 për qind më lirë se vlera në treg.

Në fokus të hetimeve penale janë origjina e fondeve që politikanët kanë përdorur për blerjet e tyre dhe konflikti i mundshëm i interesit në miratimin e legjislacionit.

Arteks gjithashtu është duke u hetuar për lidhjet e mundshme me partitë politike, për donacionet për partitë dhe për pjesëmarrjen në prokurimin publik.

Aleksander Nenkov, deputet i GERB-it, i cili ka hartuar amendamentin në Kodin e Ndërtimit, ka thënë në fund të marsit se amendamenti nuk zbatohet në mënyrë retroaktive në projektin e Shekullit të Artë.

Por, kryetarja e Sofjes, Yordanka Fandakova, ka thënë se "çështja nuk është aq e thjeshtë". Kryearkitekti i Sofjes, Zdravko Zdravkov, ka thënë se leja e ndërtimit të Shekullit të Artë ka skaduar në nëntor të 2017-ës dhe se nuk është rinovuar./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat