Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini në qendër të Brukselit paraqiti një mural kushtuar lidhjeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
“Kjo vepër arti është një dhuratë e mrekullueshme për Brukselin dhe sjell Ballkanin ku i takon - në zemër të Evropës", tha Mogherini.
“Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ne nuk e prezantojmë atë në Evropë. Ai është vendosur tashmë në qendrën historike, gjeografike dhe kulturore të Evropës. Tani jemi në BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të fusin gjithë Ballkanin në BE. Ky është hapi tjetër”, shtoi ajo.
Përfaqësuesja e Lartë vlerësoi se gjatë katër vjetëve e gjysmë të mandatit si shefe e punëve të jashtme të BE-së, ka pasur një përafrim me secilin prej gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor.
“Besoj se do të jemi në gjendje të shfrytëzojmë 7 muajt e mbetur deri në fund të mandatit të këtij Komisioni për të bërë hapa të pakthyeshëm për secilin prej jush në rrugën drejt BE-së", përfundoi Mogherini.
Në Komisionin Evropian, murali i ri, i cili është shfaqur në rrugët e Brukselit, dedikohet për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-në, dhe për lidhjet e tyre të thella kulturore.
Murali financohet nga BE dhe është pjesë e Javës së Kulturës BE-Ballkani Perëndimor, organizuar nga Shërbimi Evropian i Punëve të Jashtme për të shënuar identitetin e përbashkët evropian dhe lidhjet kulturore midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.