I dënuari me burgim të përjetshëm kërkon fekondim artificial për t’u bërë baba

Evropë

I dënuari me burgim të përjetshëm kërkon fekondim artificial për t’u bërë baba

Më: 7 prill 2019 Në ora: 11:58
Aaron Newman, 28-vjeçar, po dëshiron që e dashura e tij të mbetet shtatzënë përmes fekondimit artificial

Një vrasës, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Britani të Madhe, ka bërë kërkesë që të dashurës së tij t’i mundësohet fekondimi artificial në mënyrë që ai të bëhet baba.

Aaron Newman, 28-vjeçar, po dëshiron që e dashura e tij të mbetet shtatzënë përmes fekondimit artificial për shkak se nuk ka të drejtë të bëjë marrëdhënie intime me të në burg. Ai beson që ka të drejtë ta kërkojë një gjë të tillë, ndonëse sistemin shëndetësor një operacion i tillë do t’i kushtonte 8 mijë funte.

Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një gruaje që ishte nënë e dy fëmijëve. Vrasja ishte kryer në vitin 2013.

Ndaj kërkesës së të burgosurit ka reaguar nëna e gruas së vrarë. Kerry Poynton ka thënë se atij duhet t’i hiqen organet gjenitale. “Pse duhet ai të ketë fëmijë kur fëmijët e vajzës sime po rriten pa nënën e tyre”, ka thënë ajo.

Newman ishte paguar për ta vrarë të dashurin e viktimës, por gabimisht e kishte qëlluar gruan. Bashkë me të është dënuar edhe një burrë tjetër. Ata duhet t’i kalojnë së paku 31 vjet në burg para se ta fitojnë të drejtën për të bërë ankesë.

Nëse i mundësohet një gjë e tillë, ky i burgosur nuk do të ishte i pari që do ta gëzonte këtë të drejtë. Nga viti 1965, dhjetë të burgosurve u është mundësuar që të bëhen prindër përmes fekondimit artificial, shkruan “Daily Mail”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat