Kokaina pushton detin, shkakton operacion masiv policor

Evropë

Kokaina pushton detin, shkakton operacion masiv policor

Më: 8 prill 2019 Në ora: 12:19
Rumani

Policia në Rumani ka nisur kërkimet përgjatë bregdetit të Detit të Zi, pasi një sasi prej 130 kilogramësh kokainë u gjet në breg. Sipas BBC, rreth 300 oficerë policie dhe 14 anije të rojes bregdetare po patrullojnë të gjithë vijën bregdetare, pasi që prej së premtes u gjetën disa pako me lëndë narkotike, të dala nëpër vende të ndryshme.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i hapin pakot, në rast se gjejnë një të tillë.

Romania thuhet se është pjesë e një rruge tranzit e trafikut të drogës që lidh Amerikën Latine dhe Europën. Pakot besohet se janë pjesë e një dërgese prej të paktën 1 ton kokaine, që u gjet në një anije të braktisur rreth 2 javë më parë. Për rastin në fjalë u prangosën dy serbë.

Të dielën, policia konfirmoi gjithashtu se në operacionin e kërkimit për lëndën narkotike janë angazhuar edhe dy helikopterë, disa anije e zhytës. Mediat vendase raportuan se kërkimi është shtrirë në një hapësirë prej rreth 90 kilometrash të vijës bregdetare.

Në 2016-n, policia rumune sekuestroi 2.5 ton kokainë me vlerë të paktën 600 milionë euro. Kokaina, e cila kishte destinacion Holandën, ishte fshehur brenda kontenierëve të bananeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat