Ukrainë: Refugjatët brenda vendit të përjashtuar nga votimi

Evropë

Ukrainë: Refugjatët brenda vendit të përjashtuar nga votimi

Më: 11 prill 2019 Në ora: 11:07
Ilustrim

Mbi 1.5 milionë vetë në Ukrainë janë refugjatë brenda vendit të tyre që pas luftës në Donbas më 2014. Refugjatët brenda vendit ndonëse janë integruar në qytetet ku jetojnë, hasin në vështirësi në jetën e përditshme.

Shumica e refugjatëve brenda vendit kanë gjetur shtëpi, punojnë ashtu si shumë ukrainas të tjerë. Megjithatë ata nuk janë plotësisht të ingranuar. Tani që vendi zgjedh presidentin e ri, ata e kuptojnë, që u duhet të luftojnë për votën e tyre. Një ndër to është edhe Nelli Seljutina. Me vetëm pak gjëra të domosdoshme me vete ajo u largua para pesë vjetësh nga qyteti i saj Donjeck - gjithçka ndodhi shumë shpejt, rrëfen ajo: "Herët në mëngjes me burrin po shkonim në punë. papritur para nesh qendronin njerëz të armatosur, që kishin rrethuar gjithçka. Sapo ndokush përpiqej të kërkonte sqarime, e kërcënonin me automatik." 

Si rrjedhojë ajo dhe bashkëshorti vendosën menjëherë të largohen: "Unë i thashë burrit, bli biletat e trenit duhet të ikim që këtej. Gjithçka rrodhi shumë shpejt, unë u ktheva nga puna dhe në mbrëmje ne u nisëm. Kur po mbyllja derën e shtëpisë, e dija që aty nuk do të jetoja më kurrë", thotë Nelli.

Image

Zgjedhjet presidenciale në maj  2014 nuk u zhvilluan në territoret e pushtuara. Në kryeqytetin Kiev, ku u strehua familja e Nellit, miqtë e saj shkuan normalisht në mëngjes të votonin. Ndërsa ajo dhe burri i saj u përjashtuan nga ky proces. "Të vjen çudi, tek sheh që miqtë e tu shkojnë të votojnë, ndërsa ti nuk mund të marrësh pjesë. Kur të jepet mundësia të zgjedhësh, nuk e ke aq të nevojshme të japësh votën. Por ne edhe në Kiev ishim po ata njerëz si më parë, vetëm se këtu nuk kishim më të drejtën e votës - kjo ishte e vështirë."

Këmbëngulje për të drejtën e votës

Qysh atëherë Nelli nuk le asnjë votim pa marrë pjesë. Kjo nuk është e lehtë, për çdo vit elektoral asaj i duhet të regjistrohet nga e para. Shumë të shpërngulur stepen prej kësaj.

Sepse shumica e tyre, ashtu si edhe Nelli janë të regjistruar në Donbas. Kush regjistrohet diku tjetër, nuk konsiderohet më i refugjat brenda vendit dhe humbet të drejtën për ndihma nga shteti. Edhe ai që është i gatshëm të heqë dorë prej këtyre ndihmave, nuk mund të regjistrohet lehtë diku tjetër. Shumica e pronarëve të shtëpive refuzojnë t'i regjistrojnë qiraxhinjtë e tyre, nga frika se ata mund të përfitojnë të drejtën e pretendimit ndaj banesës.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale humoristi Vladimir Selenski kryesoi. Rezultati i balotazhit ndaj presidentit aktual Petro Poroschenko konsiderohet i hapur. Nelli nuk do që t'i shpëtojë rasti pa votuar. Por ajo nuk na thotë se për kë do të votojë.

Nellit i duhet të regjistrohet nga e para për raundin e dytë. Në fakt regjistrimin mund ta bëjë vetëm pas shpalljes së rezultatit zyrtar të raundit të parë. Por deri atëherë mbeten fare pak ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Duke mbajtur radhën për t'u regjistruar ajo takon refugjatë të tjerë nga Donbasi, të njohur nga jeta e saj në të kaluarën. Edhe ata duan patjetër të votojnë. Shumica kanë përshtypjen se sorrollatjet burokratike për regjistrimin e refugjatëve në vendin e tyre janë të qëllimshme. Olena Vynnyk: "Unë besoj, që disa e bëjnë me qëllim këtë, që ne të mos mund të votojmë. Kjo nuk është pakujdesi. Ata mund t'i thjeshtojnë gjërat dhe të angazhojnë më shumë nëpunës,  nëse duan".

Ligji elektoral i vjetëruar

Ekspertët kritikojnë, se ligji elektoral është i vjetëruar. Miliona ukrainas ndodhen aktualisht larg vendit të tyre për shkak të luftës, ose të vendit të punës që kanë gjetur. Mundësia për zgjedhje e kushtëzuar me regjistrimin e vështirë në vend, nuk është më në përputhje me kohën. Prej kohësh në paralament është paraqitur projektligji për modernizimin e procesit elektoral. Por asgjë nuk është bërë.

Lufta ia ka përmbysur planet Nellit. Në Donjeck ajo drejtonte disa dyqane sporti, ndërsa tani në Kiev ajo ndihmon refugjatët e tjerë nga Donbasi. Organizatës së saj i vijnë çdo ditë qindra kërkesa për ndihmë. Ndër to edhe shumë, që duan të dinë, se si mund të marrin pjesë në votime. "Ne kemi pasur shumë këkresa nga studentët. Ata kanë qenë të regjistruar fillimisht nëpër konvikte dhe pas përfundimit të studimeve u doli një problem. Atje nga ata vijnë nuk mund të regjistrohen më për zgjedhjet, e këtu po ashtu nuk munden. Nuk janë të paktë ukrainasit, që faktikisht përjashtohen tani nga zgjedhjet. Këta janë të rinj, njerëz aktivë, në fakt zgjedhjet janë për këta, e ata nuk mund të marrin pjesë në to", vëren Nelli.

Edhe djali i Nellit është i prekur. Ai ishte 13 vjeç kur u larguan nga Donjecku dhe tani ka mbushur moshën e pjekurisë. Nëse ai do të lejohet të votojë, as nëna e tij, që është eksperte për problemet e refugjatëve nuk e di ende./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat