Betejë e fortë në Hungari para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian

Evropë

Betejë e fortë në Hungari para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian

Më: 12 prill 2019 Në ora: 16:36
Hungari

Kryeministri populist i Hungarisë, Viktor Orban është përballë një sprove serioze në maj kur partitë e opozitës do të përpiqen të bashkërendojnë një sfidë të fortë ndaj partisë së tij në pushtet në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jamie Dettmer njofton nga Budapesti:

Që nga rizgjedhja në vitin 2010, Kryeministri Viktor Orban është bërë objekt kritikash nga brenda vendit si dhe nga Bashkimi Evropian për politikat e tij që shihen si goditje ndaj demokracisë në Hungari:

Protesta të shumta kanë pasuar masat e udhëheqësit hungarez për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit, për të politizuar shërbimin civil dhe për të zgjeruar kontrollin shtetëror mbi media dhe mbi shoqatat joqeveritare.

Kundërshtarët e tij thonë se zoti Orban ia ka përngjarë politikat e tij strategjisë që ndjek Vladimir Putini në Rusi:

“Nuk mendoj se ai do t’ia dijë për demokracinë. Ai ka kopjuar ato që bën Putini në lidhje me shtetin ligjor dhe demokracinë. Ka kopjuar praktikisht çdo hap të Putinit lidhur me shoqërinë civile. Duke i shtypur, duke i kërcënuar organizatat e pavarura ashtu siç ka vepruar Putini me organizata joqeveritare,” thotë Agnes Vadai, Nënpresidente e Koalicionit demokratik.

Javën e kaluar, zoti Orban hapi fushatën e partisë së tij për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, duke sulmuar Brukselin, duke shprehur kundërshtitë e tij ndaj imigracionit dhe duke folur në emër të asaj që e quajti kultura e krishterë e Evropës. Partitë e opozitës po përpiqen të bashkërendojnë fushatat. Por nuk do të jetë e lehtë të bindin elektoratin jashtë perimetrit të Budapestit që të braktisin zotin Orban pasi ai ka braktisur parimet demokratike:

“Shumë nga këto tema janë të kufizuara brenda Budapestit, janë të përqëndruara tek gjyqësori, liria e shtypit,” thotë Julius Horvath, Universiteti Qendror Evropian.

Politikanët e opozitës pohojnë se zoti Orban ka një bazë të fortë që e përkrah, por nënvizojnë se vjet në zgjedhjet parlamentare që partia e tij i fitoi bindshëm, pati një numër më të madh zgjedhësish që votuan kundër tij.

Mesazhi i Kryeministrit Viktor Orbán është i qartë: sovraniteti kombëtar po minohet nga globalizimi; shtetet kombëtare dhe kultura e traditat e tyre po dobësohen nga bankierët e elitat. Ky mesazh përqafohet nga një pjesë e mirë e elektoratit:

“Ai e kupton mentalitetin e hungarezëve. Ai luan me simbolin e luftëtarit për liri në një vend ku njerëzit janë shumë krenarë për historinë e tyre dhe ku të gjithë heronjtë janë luftëtarë të lirisë,” thotë Peter Kreko, sxtudiues në Institutin e Studimeve mbi Kapitalin Politik.

Këtë vit zoti Orban hyri në një seli të re qeveritare përballë parlamentit hungarez. Analistët thonë se është ende e pamundur të parashikohet nëse rivalët e tij politikë do të arrijnë ta dobësojnë forcën e tij politike dhe të reduktojnë fitoren që pritet të sigurojë muajin e ardhshëm partia e tij në zgjedhjet për Parlamentin Evropian./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat