Spanja arreston ish-shefin venezuelas të inteligjencës

Evropë

Spanja arreston ish-shefin venezuelas të inteligjencës

Më: 13 prill 2019 Në ora: 09:44
Spanja arreston ish-shefin venezuelas të inteligjencës

Ish-shefi i inteligjencës së Venezuelës, Hugo Carvajal, është arrestuar nga policia spanjolle për shkak të akuzave të Shteteve të Bashkuara kundër tij. Ai akuzohet për keqpërdorim të substancave narkotike.

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara i kishte ngritur akuzat kundër tij në vitin 2014 dhe ka kërkuar që ai të ekstradohet në ShBA.

Carvajal ka qenë aleat i ngushtë i Hugo Chavezit, por javën e kaluar e kritikoi ashpër pasardhësin e tij dhe presidentin aktual të Venezuelës, Nicolas Maduro. Ai e mbështet liderin e opozitës, Juan Guaido.

Guaido e shpalli veten president të Venezuelës në janar duke u thirrur në kushtetutën e vendit. Që prej asaj kohe, ai e ka fituar mbështetjen e shumë vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat po bëjnë presion ndërkombëtar kundër presidentit Maduro.

Pavarësisht protestave masive, Maduro deri tash nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga pushteti dhe e ka pasur vazhdimisht përkrahjen e ushtrisë. Përpos ushtrisë, Maduro ka edhe aleatë të fuqishëm ndërkombëtarë, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat