Evropa rrezikohet nga sëmundjet tropikale që përhapen nga insektet

Evropë

Evropa rrezikohet nga sëmundjet tropikale që përhapen nga insektet

Më: 14 prill 2019 Në ora: 11:28
Ilustrim

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se sëmundjet që përhapen nga insektet, përfshirë leishmaniasisin dhe encefalitisin, janë duke u përhapur shumë dhe tashmë ka rrezik që ato të arrijnë në shumë pjesë të Evropës.

Rritja e numrit të rasteve me këto sëmundje ka ndodhur për shkak të ndryshimit të klimës, shtimit të udhëtimeve ndërkombëtare dhe tregtisë. Kështu u tha në Kongresin Evropian për Mikrobiologjinë Klinike dhe Sëmundjet Ngjitëse, i cili u mbajt të shtunën në Amsterdam të Holandës.

Sipas shkencëtarëve, edhe disa zona, të cilat më parë kanë qenë të paprekura për shkak të lartësisë mbidetare dhe gjerësisë gjeografike, përfshirë pjesën veriore të Evropës, janë të rrezikuara nga këto sëmundje, sidomos nëse nuk ndërmerren masa për shtim të mbikëqyrjes dhe shkëmbimit të të dhënave.

“Ndryshimi i klimës nuk është shkaktari i vetëm dhe as shkaktari kryesor që po ndikon në rritjen e numrit të sëmundjeve që përhapen nga insektet në Evropë, por është një nga shumë faktorët, përfshirë globalizimin, zhvillimin social dhe ekonomik, urbanizimin dhe ndryshimet e gjera në përdorimin e tokës”, tha njëri nga autorët e studimit, profesori Jan Semenza.

Ky vlerësim u mbështet edhe nga Giovanni Rezza, hulumtues në Institutin e Lartë Sanitar të Romës. “Mësimet që i kemi marrë nga rritja e rasteve të virusit të Nilit në Amerikën Veriore dhe virusit chikungunya në Karaibe dhe Itali e theksojnë rëndësinë e vlerësimit të rrezikut që vjen nga këto sëmundje”, tha ai, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat