BE refuzon të njohë sovranitetin e Izraelit në Golan

Evropë

BE refuzon të njohë sovranitetin e Izraelit në Golan

Më: 16 prill 2019 Në ora: 20:05
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian (BE) refuzon të njohë sovranitetin izraelit në lartësitë e Golanit dhe e konsideron një vullnet të rrezikshëm për të ndryshuar kufijtë, tha sot shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

"BE nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi territoret e okupuara dhe aplikon një qëndrim të tillë në lartësitë e Golanit, i cili iu bashkua Izraelit më 1967”, tha Mogherini gjatë një adresimi në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Sipas saj, ndryshimi i kufijve me mjete ushtarake është një ide e rrezikshme, duke kërkuar respektimin e normave ndërkombëtare, transmeton KosovaPress.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi më 21 mars se dëshiron të njohë sovranitetin izraelit mbi Golanin, që është në kundërshtim me politikën e mëparshme amerikane. Trump nënshkroi një deklaratë të njohjes së sovranitetit katër ditë më vonë në Shtëpinë e Bardhë.

Mogherini përsëriti se BE është e angazhuar për njohjen e dy vendeve, Izraelit dhe Palestinës.

"BE ka një qëndrim të qartë dhe bën thirrje për bisedime të reja për paqen. Procesi i paqes nuk ekziston më, por ne duam ta ringjallim," tha përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Lartësitë e Golanit janë një rrafshnaltë në kufirin midis Izraelit, Libanit, Jordanisë dhe Sirisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat