Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë si show televiziv - Bota Sot
Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë si show televiziv

Evropë

Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë si show televiziv

Më: 20 prill 2019 Në ora: 18:29
Petro Poroshenko dhe sfiduesi i tij Vladimir Zelenskiy

Presidenti aktual i Ukrainës, Petro Poroshenko është përballur në një debat televiziv me rivalin e tij, një aktor komik. Ky i fundit shihet ende si një fitues i mundshëm i balotazhit presidencial të së dielës.

Pesë vjet më parë një revolucion rrëzoi nga pushteti presidentin pro rus atëherë në fuqi, Viktor Janukoviç, në Ukrainë. Në atë post u ul presidenti aktual Petro Poroshenko. Tashmë në prag të balotazhit, gjërat mund të ndryshojnë sërish nga themeli.

Ka qenë një debat në formën e spektaklit ai në prag të balotazhit të presidencialeve të së dielës. Premtimi ishte ai i një show të vërtetë dhe objektivi u arrit.

Në stadiumin olimpik të Kievit, Presidenti në fuqi Petro Poroshenko dhe sfiduesi i tij Vladimir Zelenskiy u përballën pa kursyer sulmet. Nga njëra anë mungesa e eksperiencës së aktorit komik, dhe nga ana tjetër forca prepotente e një oligarku. Në sfond kishte batuta dhe kritika me tonalitete të ndryshme.

Zelenskiy pranoi se kishte votuar për Poroshenkon në vitin 2014, por që sipas tij kishte bërë dhe ai një gabim, si të gjithë. Aktori komik e akuzoi presidentin se kishte vetëm një objektiv, të pasurojë veten dhe ekipin e tij. Ai u shpreh se nuk ishte një politikan por një person i thjeshtë që do të luftojë sistemin aktual.

Poroshenko u shpreh se vendi është në luftë dhe me një President të dobët, do të shkatërrohej nga një armik si Putin. Debati ka qenë i blinduar nga forca të shumta policie, pasi rreth 10 mijë agjentë rrethonin zonën.

Në raundin e parë, Zelenskiy mori më shumë së 30 për qind të votave, dyfish më shumë se Poroshenko, dhe mbetet sërish më i preferuari. Sipas sondazheve, ai ka rreth 70 për qind të mbështetjes, por deri mbrëmjen e së dielës asgjë nuk është e sigurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...