Zelenskiy i thotë Putinit të “mos humbë kohë” me ofertën për shtetësi

Evropë

Zelenskiy i thotë Putinit të “mos humbë kohë” me ofertën për shtetësi

Më: 28 prill 2019 Në ora: 12:35
Volodymyr Zelenskiy

Presidenti i zgjedhur i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy i ka thënë Moskës “që të mos humbë kohë, duke tentuar t’i joshë qytetarët ukrainas me pasaporta ruse”, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Moska mund të lehtësojë procesin e marrjes së shtetësisë ruse për të gjithë ukrainasit.

Ukrainasit e kuptojnë se shtetësia ruse do të thotë “të drejtën për t’u arrestuar për protesta paqësore” dhe “të drejtën për të mos pasur zgjedhje të lira dhe konkurruese”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, presidenti i zgjedhur i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

“Është një e drejtë (marrja e shtetësisë ruse), që praktikisht do të thotë që të heqësh dorë nga të gjitha të drejtat dhe liritë”, ka shkruar ai.

“Dallimi me Ukrainën është në fakt se ne, ukrainasit, kemi lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe internetit”, ka shkruar Zelenskiy.

Zelenskiy po ashtu deklaroi se “ukrainasit janë njerëz të lirë që jetojnë në një shtet të lirë”, dhe se ata “nuk duhet të bien pre e gjuhës së kërcënimeve dhe presionit ushtarak dhe ekonomik”.

Megjithatë, Zelenskiy theksoi se ai është i gatshëm për negociata me Rusinë. Ai u shpreh se “normalizimi real do të ndodhë vetëm pas çlirimit të Donbasit dhe Krimesë”.

Moska mori nën kontroll Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe nxiti trazira në Donbas. Konflikti në lindje të Ukrainës, ka lënë të vrarë rreth 13 mijë persona dhe ky konflikt po vazhdon, pavarësisht një marrëveshjeje të armëpushimit dhe të paqes, e njohur si Marrëveshja e Minskut.

Rusia mohon përfshirjen në këtë konflikt, pavarësisht se Kievi dhe qeveritë Perëndimore thonë se ka prova të pakontestueshme se Moska ka mbështetur me armë, trupa dhe mbështetje tjetër separatistët në këtë rajon.

Presidenti rus, Vladimir Putin, më 24 prill nënshkroi një dekret, që thjeshtëson procedurat e marrjes së shtetësisë ruse, për personat që jetojnë në pjesët lindore të Ukrainës, e që kontrollohen nga separatistët që mbështeten nga Moska.

Pavarësisht kritikave nga Kievi dhe Perëndimi, Putini më 27 prill deklaroi se administrata e tij është duke e shqyrtuar një plan, që të lehtësojë procesin e marrjes së shtetësisë ruse për të gjithë qytetarët ukrainas dhe jo vetëm për ata që jetojnë në lindje të Ukrainës.

“Në përgjithësi, ne po mendojmë që t’ua japim shtetësinë tonë, në një mënyrë më të thjeshtë, qytetarëve të Ukrainës”, deklaroi Putini, teksa po merrte pjesë në një samit në Pekin.

Putini nuk e ka uruar Zelenskiy për fitoren e tij në zgjedhjet e mbajtura më 21 prill.

Pak kohë pas publikimit të dekretit të Putinit në ueb-faqen e Kremlinit, Ministria e Jashtme e Ukrainës e quajti atë “agresion dhe ndërhyrje” në punët e Kievit.

Ambasada amerikane në Kiev, ka shkruar në Twitter se dekreti i Putinit është “absurd dhe destabilizues” dhe riafirmuan edhe njëherë “mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Më 24 prill, ditën kur u publikua dekreti, Zelenskiy përmes një deklarate dënoi Rusinë duke e cilësuar si “shtet okupator” dhe “shtet agresor që po bën luftë kundër Ukrainës”. Ai bëri thirrje për “rritjen e presionit diplomatik dhe të sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat