Shpenzime të shfrenuara për armatime. Rusia zbret në vendin e 6

Evropë

Shpenzime të shfrenuara për armatime. Rusia zbret në vendin e 6

Më: 29 prill 2019 Në ora: 11:05
Foto

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Arabia Saudite, India dhe Franca japin së bashku më shumë parà për armatimin sesa të gjitha vendet e tjera në botë, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studimet e Paqes në Stokholm, SIPRI.

Plot 1.822 miliardë dollarë u shpenzuan për këtë qëllim vitin e kaluar në të gjithë globin, shumë kjo që shënon një rritje prej 2.6% krahasuar me vitin paraardhës. Pjesa dërrmuese e miliardave të shpenzuara vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Amerika jep më shumë parà për armatimin se çdo vend tjetër.

Drejtuesi i projektit, Nan Tian i tha “Deutsche Welle”-s se Shtetet e Bashkuara po vënë në jetë një program të zgjeruar modernizimi të ushtrisë, në kuadër të të cilit 1.8 miliardë dollarësh do të jepen gjatë 20 viteve të ardhshme, si për armët konvencionale, ashtu edhe ato nukleare.

Në raportin e sivjetshëm, Rusia ka zbritur për herë të parë në vendin e 6, duke u rreshtuar pas Francës që vjen e pesta. Sipas Tian, kjo megjithatë nuk do të thotë patjetër se Rusia ka dhënë më pak për shpenzimet ushtarake, por për shkak se shifrat e SIPRI-t janë të llogaritura në dollarë.

“Rënia e shpenzimeve ushtarake me 3.5% lidhet vetëm me inflacionin. Po të kthehen në rubla, i bie që në vitin 2018, rusët të kenë bërë po aq shpenzime sa në 2017-n”, mendon ai.

Konflikti Rusi-Ukrainë po ashtu e shton situatën e tensionuar dhe bën të rriten shpenzimet ushtarake. Ukraina ka dhënë vitin e kaluar afro 4.8 miliardë dollarë për armatimin, një rritje me 21%. Por, edhe vende si Bullgaria, Letonia, Lituania, Rumania dhe Polonia i kanë rritur shpenzimet ushtarake për t’iu përgjigjur ndjenjës së kërcënimit nga Rusia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat