Juncker: Mbetem ithtar i zjarrtë i zgjerimit të BE’së

Evropë

Juncker: Mbetem ithtar i zjarrtë i zgjerimit të BE’së

Më: 1 maj 2019 Në ora: 18:48
Jean-Claude Juncker

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian përkujtuan sot 15- vjetorin e zgjerimit të BE, që çoi në pranimin në bllok të 10 shteteve.

“Pesëmbëdhjetë vjet më parë 10 vende morën vendin e tyre të duhur në zemër të bashkimit tonë”, tha presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

“Ne kapëm momentin unik dhe pajtuam historinë e Evropës me gjeografinë tonë”, shtoi ai.

”Mbetem një ithtar i zjarrtë i zgjerimit”, theksoi Juncker.

Shtetet anëtare që u bashkuan në 2004 me BE-në ishin Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia si dhe ishujt e Qipros dhe Maltës.

Pranimi i tyre shënoi zgjerimin më të madh të bllokut në të njëjtën kohë, përcjell Atsh.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, ish-kryeministër i Polonisë, shkroi në Twitter se “për ne në ato ditë, Europa në të vërtetë ishte një simbol i lirisë, standardeve të larta, prosperitetit, modernitetit dhe sigurisë”.

“Nuk kemi qenë kurrë të zhgënjyer,” shtoi ai.

Negociatori i BE-së për Brexit Michel Barnier gjithashtu shkroi në Twitter duke theksuar se ”në BE, çdo shtet anëtar kontribuon me historinë, identitetin dhe vlerën e shtuar në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat