Rruga e re e kokainës në Ballkan. Trafikantët zgjedhin Rumaninë!

Evropë

Rruga e re e kokainës në Ballkan. Trafikantët zgjedhin Rumaninë!

Më: 6 maj 2019 Në ora: 09:05
Ilustrim

Një anije e mbytur që solli zbulimin e një sasie të madhe kokaine në Rumani dëshmon se si trafikantët po përdorin një rrugë të njohur për tranzitin e heroinës nga Azia drejt Europës edhe për të trafikuar kokainë.

Konfiskimi i pothuajse 2 tonësh kokainë, që u shfaq në bregun e Detit në Zi, në plazhet e Rumanisë gjatë këtij muaji tregon për popullaritetin në rritje të kësaj rruge. Gjithashtu dëshmon për përfshirjen e trafikantëve ballkanikë, në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Një sasi prej 1,7 tonësh kokaine, e paketuar në dhjetëra pako doli në breg pak kohë pasi autoritetet rumune zbuluan 1 tonë kokainë në një anije të batuar, pranë deltës së Danubit.

Me qindra oficerë policie, anije, helikopterë dhe polumbarë janë përfshirë në këtë operacion. Deri më tani, dy shtetas serbë janë arrestuar pasi një pako kokainë ra nga një kamion i drejtuar prej tyre në afërsi të Tulceas, një qytet në grykëderdhjen e Danubit. Policia beson se e gjithë kokaina e sekuestruar deri më tani vjen nga i njëjti burim dhe me shumë gjasa është transportuar përmes të njëjtës anije të përmbysur. Një sasi kokaine doli edhe në brigjet bullgare.

Konfiskimet e realizuara gjatë këtij viti tejkalojnë me qindra herë ato të vitit të mëparshëm, kur vetëm 27 kilogramë kokainë u sekuestruan në të gjithë Rumaninë. Ky rast rikthen në vëmendje operacionin policor të vitit 2016, kur autoritetet rumune arritën të sekuestronin 2,5 tonë kokainë në portin e Konstancës, të fshehura në një ngarkesë bananesh me prejardhje nga Kolumbia.

Analistët, megjithatë, nuk janë të befasuar. Kjo rrugë ballkanike është shfrytëzuar prej kohësh për trafikimin e opiateve nga Azia Qëndrore në Europë, por tashmë po bëhet gjithmonë e më popullore edhe për trafikantët e kokainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat