Anija e tragjedisë në Bienalen e Venecias

Evropë

Anija e tragjedisë në Bienalen e Venecias

Më: 8 maj 2019 Në ora: 07:30
Venecia

Një anije peshkimi e mbytur në brigjet e Libisë prillin e vitit 2015, duke tërhequr me vete qindra emigrantë, do të jetë në qendër të një projekti të ri arti në Bienalen e 58 të Venecias.

Mbetjet e anijes do të ekspozohen në Arsenale, ish-kantieri detar që i siguroi për shekuj me radhë Republikës së Venedikut fuqinë e saj të jashtëzakonshme detari.

Nisma i takon artistit zvicerano-islandez Christoph Büchel. Ai nuk pranoi të intervistohej përpara prezantimit të projektit, por njoftimet mbi atë që është quajtur “Barca Nostra” apo “Anija jonë” e përshkruajnë si një relike të tragjedisë njerëzore, por edhe si monument të emigracionit bashkëkohor, ku shkrihen bashkë kufijtë realë dhe simbolikë dhe mundësia e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe informacionit, transmeton tch.

Relikja, thuhet në deklaratë, nxjerr në pah përgjegjësinë tonë të përbashkët që përfaqëson politikat dhe politikat kolektive që krijojnë rrënime të tilla.

Të paktën 800 vetë besohet të kenë humbur jetën në 18 prill 2015, nga përmbysja e mjetit lundrues që u përplas me një anije mallrash portugeze, e cila ishte thirrur për ndihmë.

Aksidentit i mbijetuan vetëm 28 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat