Opozita turke kërkon anulimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar

Evropë

Opozita turke kërkon anulimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar

Më: 8 maj 2019 Në ora: 15:06
Ekrem Imamoglu, kandidati i opozitës që e fitoi Stambollin.

Partia kryesore opozitare në Turqi i bëri thirrje Bordit Zgjedhor në këtë vend që t'i anulojë edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar, ashtu siç i ka anuluar zgjedhjet e 31 marsit për kryetarin e Stambollit.

Kërkesa e Partisë Republikane Popullore u bë të mërkurën, dy ditë pasi autoritetet zgjedhore urdhëruan përsëritjen e zgjedhjeve në Stamboll, të cilat paraprakisht i fitoi opozita.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Recep Tayyip Erodgan nuk e pranoi humbjen, duke pretenduar se ka pasur "parregullsi dhe korrupsion" gjatë procesit zgjedhor.

Më 6 maj, Bordi Zgjedhor i hodhi poshtë rezultatet dhe vendosi që zgjedhjet e reja për kryetarin e Stambollit të mbahen më 23 qershor.

Tani, Partia Republikane Popullore kërkon që edhe zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit, 2018, të anulohen, duke thënë se zyrtarët e qendrave të votimit janë emëruar në mënyrë të njëjtë edhe në ato zgjedhje.

Kandidati i kësaj partie, Ekrem Imamoglu, i cili është konfirmuar kryetar i Stambollit muajin e kaluar, e kritikoi Bordin Zgjedhor dhe tha se ai është i ndikuar nga partia e Erdoganit.

Vendimi i Bordit u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk e kritikoi drejtpërdrejt vendimin, por tha se "demokracia e shëndoshë" me zgjedhje transparente është në interes të Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat