Zviceranët votojnë sot për ndryshimin e ligjit për armëmbajtje - Bota Sot
Zviceranët votojnë sot për ndryshimin e ligjit për armëmbajtje

Evropë

Zviceranët votojnë sot për ndryshimin e ligjit për armëmbajtje

Më: 19 maj 2019 Në ora: 13:50
Ilustrim

Qytetarët e Zvicrës sot po marrin pjesë në referendumin për ndryshimin e ligjit për armëmbajtje. Përmes këtij votimi do të vendoset nëse vendi do të rreshtohet me shtetet e Bashkimit Evropian që kanë ligje të ashpra për mbajtje të armëve, ose do të mbetet me ligjin aktual që mundëson procedura të lehta për marrje të lejes.

Nëse propozimi për ashpërsim të ligjit për armëmbajtje miratohet nga shumica e qytetarëve, personat që dëshirojnë të mbajnë armë do të jenë të detyruar t’iu nënshtrohen trajnimeve të rregullta për përdorim të armëve të zjarrit dhe vendosje të numrave serikë për pjesët kryesore të disa armëve për ta përcjellë qarkullimin e tyre.

Mbështetësit e ashpërsimit të rregullave, përfshirë kuvendin zviceran, thonë se masat e ngjashme me ligjet e BE-së janë të nevojshme për të siguruar bashkëpunim të fuqishëm policor dhe lidhje ekonomike me partnerët e Zvicrës në zonën e Shengenit. Përndryshe, Zvicra është pjesë e Shengenit, por nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, kundërshtarët e kësaj nisme këmbëngulin se rregullat e reja do të ndikojnë pak në parandalimin e terrorizmit. Ata thonë se ndryshimet do t’i godasin më së shumti pronarët e armëve legale.

Sistemi zviceran i mbajtjes së referendumeve ua jep mundësinë votuesve që të ndikojnë drejtpërdrejt në hartimin e politikave të rëndësishme kombëtare. Rezultatet përfundimtare të këtij referendumi pritet të publikohen në mbrëmjen e së dielës.

Zvicra nuk është përballur me sulme të përgjakshme esktremiste, siç kanë ndodhur në Francë, Belgjikë, Britani të Madhe dhe Gjermani viteve të fundit, shkruan “The Guardian”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...