Zgjedhjet për PE, “Avaaz” zbulon dhjetëra faqe fiktive në Facebook

Evropë

Zgjedhjet për PE, “Avaaz” zbulon dhjetëra faqe fiktive në Facebook

Më: 22 maj 2019 Në ora: 08:38
Aktivisti i ekstremit të djathtë Milo Yiannopoulos (M) dhe teoricieni konspiracionist Alex Jones, dy persona të luftuar nga Facebook.

Një rrjet llogarish në Facebook të ekstremistëve të djathtë, të cilat shpërndanin lajme të rreme dhe fjalime me bazë urrejtjen për miliona njerëz anembanë Europës, është zbuluar së fundi nga grupi i aktivistëve dhe i fushatave “online”, “Avaaz”.

Rrjeti social më i madh në botë, i cili po has vështirësi në betejën për të pastruar vetveten nga të tilla llogari dhe për të shpëtuar reputacionin, ka mbyllur llogari me të paktën 6 milionë ndjekës, pikërisht përpara nisjes së zgjedhjeve europiane këtë të enjte. Ndërkohë, nën shqyrtim janë edhe qindra llogari të tjera, të cilat shpërndajnë mesazhe te 26 milionë ndjekës, sipas “Avaaz”.

Në total, grupi në fjalë ka raportuar më shumë se 500 grupe të dyshimta dhe faqe “Facebook”-u që operojnë në Francë, Gjermani, Itali, Britani, Poloni dhe Spanjë. Shumica e tyre kanë shpërndarë lajme të rreme, ose kanë shfrytëzuar faqe dhe profile false për të rritur artificialisht ndjekjen e përmbajtjeve të tyre, në shkelje të rregullave të “Facebook”-ut të Zuckerbergut.

Rrjeti i faqeve në fjalë ka qenë shumë herë më popullor sesa faqet zyrtare të grupeve populiste antieuropiane apo atyre të ekstremit të djathtë në të gjitha këto vende. Deri më tani, faqet e mbyllura nga Facebook janë parë gati 500 milionë herë, sipas përllogaritjeve të “Avaaz”.

E ndërsa disa faqe janë mbyllur, përfshi një rrjet të fuqishëm në Spanjë të zbuluar nga “Avaaz”, grupi në fjalë thotë se ndaj shumë të tjerave nuk është ndërmarrë i njëjti veprim. Aktiviteti i tyre varion nga llogaritë franceze që ndajnë përmbajtje supremaciste, te postimet gjermane që mbështesin mohimin e Holokaustit, apo faqet e rreme që provomojnë partinë “Alternativa për Gjermaninë”. Në Itali, taktikat përfshijnë ngritjen e faqeve të interesit të përgjithshëm, si bukuria, futbolli, shëndeti apo të tjera, e pasi ndjekësit vërsulen drejt tyre, ato kthehen në faqe “politike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat