Kryeministrja May pritet të njoftojë datën e largimit të saj nga detyra

Evropë

Kryeministrja May pritet të njoftojë datën e largimit të saj nga detyra

Më: 24 maj 2019 Në ora: 10:56
Kryeministrja britanike, Theresa May

Kryeministrja britanike, Theresa May, pritet të lajmërojë datën e largimit të saj nga detyra, i kanë thënë BBC-së zyrtarë të lartë të qeverisë britanike.

Burimet thonë se presin që kryeministrja May të paraqesë një afat kohor për zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Megjithatë, ende nuk ka pasur konfirmim zyrtar.

Ajo pritet të takohet me udhëheqësit e partisë së saj të premten.

May ka qenë nën presion për të dhënë dorëheqje pasi disa deputetë të partisë së saj dolën kundër planit të ri të Brexit-it, të cilin May tha se do ta dërgojë për votim në parlament.

Që nga janari i këtij viti, parlamenti britanik ka hedhur poshtë tri herë marrëveshjen e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars por kryeministrja, Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.

Megjithatë ajo arriti të marrë pajtimin e BE-së për shtyrjen e afatit të Brexit-it deri më 31 tetor, datë kjo kur Britania duhet të dalë nga BE-ja me ose pa marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat