Reagimet pas dorëheqjes së kryeministres May

Evropë

Reagimet pas dorëheqjes së kryeministres May

Më: 24 maj 2019 Në ora: 16:05
Theresa May

Dorëheqja e kryeministres britanike, Theresa May u shoqërua me reagime të shumta si brenda dhe jashtë vendit.

Anglea Merkel

Kancelarja gjermane respekton vendimin e dorëheqjes së homologes së saj britanike, Theresa May, pas dështimit për miratimin e planit të tërheqjes nga Bashkimi Europian, deklaroi sot Martina Fietz, zëdhënëse e Angela Merkelit.

“Qeveria gjermane kërkon të ruajë bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë britanike, po njësoj, pa asnjë ndryshim’’, tha zëdhënësja, duke anashkaluar të japë një prononcim në lidhje me pasojat e dorëheqjen që lidhen me Brexit, një proces që varet nga zhvillimet e politikës së brendshme britanike.

Nigel Farage

Theresa May nga ana politike nuk e mori shumë në konsideratë temperamentin e vendit dhe Partisë së saj Konservatore, u shpreh  Nigel Farage, lideri i partisë Brexit favorit në zgjedhjet europiane.

‘’Dy liderë konservatorë me qëndrime pro-BE janë larguar deri më sot. Ose partia të nxjerrë mësime ose të shpërbëhet’’, shtoi Farage, duke iu referuar largimit të David Cameron pas referendumit të qershorit 2016 ku 52 % e britanikëve votuan pro Brexit.

Kremlini

Kremlini e cilësoi mandatin e Theresa May si një periudhë shumë të komplikuar në marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë, duke u shprehur se po ndiqte me vëmendje situatën pas shpalljes së dorëheqjes së kryeministres.

‘’Për fat të keq, nuk mund të kujtoj veçse ndonjë kontratë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalësheve mes Rusisë dhe Britanisë së Madhe, për këtë arsye mandati i kryeministres shënon një periudhë të ngatërruar në marrëdhëniet tona’’, deklaroi për median zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Boris Johnson

”Erdhi koha për të vënë në zbatim Brexit”, tha ish-ministri i Jashtëm britanik.

Partia Konservatore

”Pasuesi i kryeministres May do të emërohet deri më 20 korrik”, njoftoi Partia Konservatore në një komunikatë.

Partia Konservatore, lideri i së cilës tradicionalisht është kryeministri, do të vendoset nga votat e deputetëve konservatorë të cilët përzgjedhin dy kandidatë që më pas do të votohen nga aktivistët e partisë.

Madridi

Një Brexit pa marrëveshje është pothuajse e pamundur për t’u ndalur pas dorëheqjes së kryeministres May, u shpreh zëdhënësja e qeverisë spanjolle, Isabel Celaa.

‘’Një Brexit i vështirë në këto rrethana është një realitet pothuajse i pamundur për të ndalur. Qeveria britanike, parlamenti britanik janë të vetmit përgjegjës për një largim pa marrëveshje dhe për pasojat e tij’’, deklaroi ajo në media.

Komisioni Europian

Dorëheqja e kryeministres britanike, May nuk ndryshon asgjë në pozicionin e të 27-tëve për marrëveshjen e arritur për largimin e BM-së nga BE-ja, njoftoi sot Komisioni Europian.

‘’Ne do të respektojmë kryeministrin e ri, por asgjë nuk do të ndryshojë në qëndrimin e miratuar nga Këshilli Europian për marrëveshjen e largimit’’, deklaroi ndihmëszëdhënësja e Komisionit Europian, Mina Andreeva. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat