Pas shpalljes së dorëheqjes së kryeministres May, pikëpyetje për Brexit

Evropë

Pas shpalljes së dorëheqjes së kryeministres May, pikëpyetje për Brexit

Më: 24 maj 2019 Në ora: 21:24
Theresa May

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se do të japë dorëheqjen pas dy javësh, pasi dështoi tre herë të bindte parlamentin që të mbështeste planin e saj për daljen nga Bashkimi Evropian.. Reagimet brenda dhe jashtë Britanisë, ishin të menjëhershme dhe të përziera ndaj këtij lajmi. Largimi i saj ka gjasa të ketë pasoja serioze për Brexitin.

Zonja May do të largohet nga udhëheqja e Partisë Konservatore më 7 qershor.|
"Së shpejti do të lë detyrën që ishte nderi më i madh i jetës time. Kryeministrja e dytë grua, por sigurisht jo e fundit. E bëj këtë me keqardhje por me një mirënjohje të madhe dhe të përhershme që pata mundësinë t’i shërbeja vendit që dua", tha ajo.

Ajo tha se është bërë e qartë për të që është në interesin më të mirë të vendit që një kryeministër i ri të udhëheqë përpjekjen për daljen nga BE-ja.

Udhëheqësi i ri i Partisë Konservatore do të bëhet kryeministër dhe vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të reja. Atij do t’i duhet të tejkalojë bllokadën e krijuar rreth procesit të largimit nga Bashkimi Evropian.

Kandidati më i përfolur si pasues i saj është Boris Johnson, ish ministri i Jashtëm, që ishte një nga mbështetësit kryesor të referendumit për Brexitin në qershor të vitit 2016.

Zoti Johnson, duke e falënderuar zonjën May për shërbimin ndaj vendit dhe Partisë Konservatore, tha se “është koha që të përmbushen thirrjet e saj: të bashkohemi dhe ta zbatojmë Brexitin”.

Edhe ish-Kryeministri David Cameron e vlerësoi zonjën May, duke thënë se “ajo duhet falenderuar për përpjekjet e saj të palodhura për vendin”.

“E di se ç’do të thotë ta kuptosh që i ka ardhur fundi udhëheqjes tënde, se vendi ka nevojë për një udhëheqës të ri dhe është jashtëzakonisht e vështirë dhe e dhimbshme të dalësh dhe ta deklarosh një gjë të tillë”.

Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon tha se largimi i zonjës May, nuk do ta zgjidhë rrëmujën e Brexitit që e kanë krijuar konservatorët. Vetëm duke e kthyer çështjen tek qytetarët mund të ndodhë kjo. Duke pasur parasysh rrethanat aktuale, gjithashtu duket thellësisht e gabuar që një tjetër konservator të marrë drejtimin e qeverisë pa zgjedhje të përgjithshme”.

Shefi i Partisë Laburiste në opozitë, Jeremy Corbyn, tha se largimi dëshmon se zonja May “pranoi atë që e dinte gjithë vendi për shumë muaj: ajo nuk mund të qeverisë, sikurse as partia e saj e ndarë”. Ai bëri thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Ikja e zonjës May ka gjasa ta thellojë krizën e Brexitit, pasi një udhëheqës i ri mund të dojë një shkëputje më të prerë, duke i shtuar shanset e një përplasjeje me BE-në dhe ndoshta zgjedhje të parakohëshme të paparashikueshme.

“E lë vendin në vështirësi, do të thoja. Asnjë marrëveshje dhe afati është më 31 tetor. Më duket se ka fare pak shans që të ratifikohet një marrëveshje para asaj date, megjithëse ekziston një mundësi që ajo ta përdorë kohën që i ka mbetur në detyrë që të paktën të fillojë një periudhë zbatimi. Më duket se Partia Konservatore përballet me një moment katarsisi. I duhet të përballet me realitetin”, thotë analisti politik Francis Elliott.

Komisioni Evropian tha se presidenti Jean-Claude Juncker nuk gëzohet që zonja May do të largohet nga detyra. Zëdhënësja e Komisionit, Mina Andreeva tha se zoti Juncker është i gatshëm të punojë me pasuesin e saj dhe shtoi se BE-ja nuk do ta ndryshojë planin për tërheqjen.

“Ne e kemi bërë të qartë pozicionin tonë me formatin e nenit 50 të Këshillit Evropian dhe jemi të gatshëm të punojnë me këdo që të bëhet kryeminstër”. Zonja May do të vazhdojë punën si kryeministre në detyrë deri në zgjedhjen e udhëheqësit të ri, një proces që mund të marrë disa javë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat