Fillon gara për kryeministër të ri të Britanisë së Madhe

Evropë

Fillon gara për kryeministër të ri të Britanisë së Madhe

Më: 25 maj 2019 Në ora: 08:55
Fillon gara për kryeministër të ri të Britanisë së Madhe

Pas njoftimit të kryeministres britanike, Theresa May, se muajin e ardhshëm do të japë dorëheqje nga pozita e kryetares së Partisë Konservatore, në skenën politike të partisë në pushtet tashmë ka nisur gara për ta zënë vendin e saj. Kjo garë nuk do ta sjellë vetëm udhëheqësin e ri të partisë, por edhe kryeministrin ose kryeministren e ardhshme të Britanisë së Madhe.

Figurat e larta të Partisë Konservatore besojnë se udhëheqësi i ri i tyre do të caktohet deri në fund të muajit korrik. Zonja May konfirmoi të premten se më 7 qershor do të japë dorëheqje nga pozita e kryetares së partisë, por se do të vazhdojë ta mbajë postin e kryeministres deri në zgjedhjen e udhëheqësit të ri të partisë.

Deri tash, katër kandidatë kanë deklaruar se synojnë ta marrin timonin e partisë. Ata janë: Ministri i jashtëm, Jeremy Hunt, ministri për zhvillim ndërkombëtar, Rory Stewart, ish-ministri i jashtëm, Boris Johnson dhe ish-ministrja për punë dhe pensione, Esther McVey.

Megjithatë, besohet se kësaj gare do t’i bashkohen më shumë se dhjetë kandidatë të tjerë, përfshirë Sir Graham Brady-n, i cili ka dhënë dorëheqje nga Komiteti 1922.

Ministrja e punës dhe pensioneve, Amber Rudd, e përjashtoi veten nga gara, duke thënë: “Nuk mendoj se tash është koha ime për një gjë të tillë”. Të premten, ministri i mjedisit, Michael Gove, një kandidat tjetër i mundshëm, refuzoi të tregojë nëse do të bëhet pjesë e garës, duke thënë se kjo është dita e kryeministres.

Deputetët e Partisë Konservatore kanë afat deri në fillim të javës së dytë të qershorit për të kandiduar për kryetar të ri të partisë. Të drejtë për t’u bërë pjesë e garës kanë të gjithë deputetët që e gëzojnë përkrahjen e të paktën dy kolegëve të tyre.

Partia Konservatore i ka 124 mijë anëtarë. Udhëheqësi i fundit që është zgjedhur nga anëtarët e partisë është David Cameron dhe kjo gjë kishte ndodhur në vitin 2005. Kryeministrja aktuale, Theresa May, nuk kishte kundërkandidat kur u zgjodh në këtë pozitë më 2016, shkruan “BBC”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat