Cipras kërkon zgjedhje të parakohshme

Evropë

Cipras kërkon zgjedhje të parakohshme

Më: 27 maj 2019 Në ora: 15:05
Pamje nga takimi

Zgjedhjet evropiane të së dielës i kanë ndryshuar forcat politike në Greqi dhe imponojnë zgjedhje të parakohshme kombëtare. Partia SYRIZA e kryeministrit Grek Aleksis Cipras ka pësuar disfatë nga partia më e madhe opozitare “Demokracia e Re” e udhëhequr nga Qiriakos Micotaqis. Sipas rezultateve të para zyrtare, SYRIZA ka marrë vetëm 24%, ndërsa partia opozitare Demokracia e Re 34% të votave, respektivisht 10% më shumë se partia në pushtet. Për këtë arsye kreu opozitar Qiriakos Micotaqis ka kërkuar nga kryeministri që të japë dorëheqje.

Greqia ka nevojë për Qeveri të re, me besim të freskët nga populli grek i cili do të garantojë stabilitetin, por edhe perspektivën e tij në këtë rrethanë kritike. Kryeministri patjetër ta ndërmarrë përgjegjësinë e tij, për të mirën e vendit duhet të japë dorëheqje, ndërsa vendi të shkojë në zgjedhje kombëtare sa më shpejtë që është e mundur – u shpreh Qiriakos Micotaqis, Demokracia e Re.

Kryeministri Aleksis Cipras deklaroi se do të kërkojë zgjedhje të parakohshme kombëtare. Ai tha se pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të 2 qershorit, do të kërkojë nga presidenti i shtetit që të shpallë zgjedhjet e parakohshme kombëtare.

Menjëherë pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, do të kërkoj nga presidenti i Republikës të shpall menjëherë zgjedhjet kombëtare. Këtë do e bëj me qëllim që populli grek të jetë ai që do të vendosë, nëse dëshiron një plan për mbështetjen e shumicës apo kërkon rikthimin në errësirën e FMN-së – deklaroi Aleksis Cipras, kryeministër i Greqisë.

Mediat greke dhe ato ndërkombëtare, disfatën e Ciprasit e bazojnë tek politikat e tij, duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjet së emrit me Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet për PE-në kanë ndryshuar pozitat edhe të forcave më të vogla politike në Greqi. Noenazistët e “Agimit të Artë”, kanë humbur rreth 40% të elektoratit të tyre dhe nga forca e tretë politike kanë rënë në vendin e pestë me 4,8% të votave. Ndërsa në vendin e tretë radhitet “Lëvizja për Ndryshim” me 7,1% të votave dhe në të katërtin Komunistët grek me rreth 5,6 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat