Pavarësisht skandalit, Strache siguron ulësen në Parlamentin Evropian

Evropë

Pavarësisht skandalit, Strache siguron ulësen në Parlamentin Evropian

Më: 27 maj 2019 Në ora: 17:33
Heinz-Christian Strache

Heinz-Christian Strache, i cili u detyrua të japë dorëheqje nga pozita e zëvendëskancelarit të Austrisë dhe kryetarit të partisë “FPO” para një jave për shkak të skandalit me mbesën e një oligarku rus, e ka fituar një ulëse në Parlamentin Evropian.

Strache nuk ishte larguar nga lista e partisë së tij për zgjedhjet evropiane, ndonëse ishte vendosur në vendin e fundit të renditjes. Sipas rezultateve preliminare, partia e tij i ka fituar vetëm tri ulëse.

Sidoqoftë, sipas sistemit zgjedhor të Austrisë, votuesit mund ta shfaqin preferencën e tyre për një kandidat të listës së zgjedhur dhe nëse ai kandidat merr mbështetje të mjaftueshme, e fiton ulësen në Parlamentin Evropian.

Në bazë të rezultateve nga numërimi i pjesshëm i votave, Strache i ka fituar më shumë se 33500 vota të drejtpërdrejta, të cilat janë të mjaftueshme për ta fituar ulësen në parlament.

Strache ishte filmuar në mënyrë të fshehtë duke i premtuar një gruaje ruse rregullimin e kontratave shtetërore. Sidoqoftë, ai ka thënë se nuk ka bërë asgjë ilegale. Prokurorët e Vienës kanë thënë se janë duke e hetuar këtë rast në shumë drejtime, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat