Macron: Institucionet e BE-së duhet t'i udhëheqin personalitete të fuqishme

Evropë

Macron: Institucionet e BE-së duhet t'i udhëheqin personalitete të fuqishme

Më: 29 maj 2019 Në ora: 12:03
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se dëshiron që personalitete të fuqishme të udhëheqin institucionet e Bashkimit Evropian në pesë vitet e ardhshme, edhe pse ai, në këtë fazë, refuzoi të emërojë kandidatët e tij të preferuar.

"Çelësi për mua është që njerëzit në pozitat më të ndjeshme të jenë karizmatikë, kreativë dhe më kompetentët e mundshëm", u tha Macron gazetarëve pas një darke joformale të liderëve të BE-së në Bruksel.

"Unë nuk jam pjesë e atyre që duan udhëheqës të Komisionit Europian ose Këshillit të BE-së që nuk i lënë nën hije liderët kombëtarë", tha ai.

"Është e rëndësishme për mua që të kemi baraspeshë gjinore, që të emërojmë dy burra dhe dy gra," shtoi Macron.

Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, janë në kundërshtim me atë se kush duhet të jetë shefi i ardhshëm i Komisionit Europian. Kancelarja gjermane mbështet një shtetas gjerman të partisë së saj, ligjvënësin evropian Manfred Weber.

Zyrtarët francezë thanë se mungesa e përvojës politike të Weberit për një pozitë të lartë në BE është një problem, si dhe fakti që ai nuk mund të flasë frëngjishten.

Ata thanë se presidenti, Macron nuk po insiston domosdoshmërisht që një shtetas francez të merrte një pozitë të lartë, pavarësisht se negociatori i Brexit, francezi Michel Barnier shpesh është përfolur si një kandidat i mundshëm.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së, diskutuan të martën në mbrëmje për emërimet në pozitat kyçe të Bashkimit Evropian, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të cilat u mbajtën në fund të javës së kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat