Presidenti i Ukrainës i kërkon BE-së shtim të sanksioneve ndaj Rusisë

Evropë

Presidenti i Ukrainës i kërkon BE-së shtim të sanksioneve ndaj Rusisë

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 21:41
Volodymyr Zelenskiy

Në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës së tij në Bruksel, presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të shtojë sanksionet kundër Rusisë.

Pas negociatave të zhvilluara me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk më 5 qershor, Zelenskiy ka falënderuar BE-në për “mbështetjen e paluhatur” dhe ka bërë thirrje për “fuqizim të sanksioneve, në mënyrë që të kthehet paqja në Ukrainë”.

BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke përfshirë ngrirje të aseteve dhe bllokim të marrjes së vizave për individë dhe entitete ruse, pasi Moska ka pushtuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014, dhe ka mbështetur nga ajo kohë, separatistët në lindje të Ukrainës, në konfliktin që ka lënë rreth 13,000 persona të vdekur.

Tusk ka thënë se duke realizuar vizitën e tij të parë si president në BE dhe selinë e NATO-s, Zelenskiy ka dërguar “sinjal të fuqishëm dhe të rëndësishëm”.

Bashkimi Evropian “do të jetë gjithmonë i vendosur për t’i ndihmuar Ukrainës për të fuqizuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, stabilizimin e ekonomisë dhe kryerjen e reformave në sektorin e energjisë”, duke shtuar se blloku evropian do të jetë “i përkushtuar për pavarësinë e Ukrainës dhe integritetin territorial”.

Një aktor komik dhe pa përvojë politike, Zelenskiy ka mundur ish-presidentin e këtij shteti, Petro Poroshenko me shumicë të votave më 21 prill.

Ceremonia e inaugurimit të tij është mbajtur më 20 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat