BE damkos Rusinë për dezinformim

Evropë

BE damkos Rusinë për dezinformim

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 10:51
Foto ilustrim

Gënjeshtra, teori komplotiste, #hashtag-e me urrejtje. Në zgjedhjet europiane të majit janë përdorur instrumenta dezinformimi me origjinë në Rusi, shprehet Komisioni Europian. Por gjurmët nuk të çojnë vetëm në Kremlin.

Ajo që autoritetet, partitë e aktivistët vunë re në zgjedhjet kombëtare në SHBA, Brazil apo Gjermani ka vazhduar edhe në zgjedhjet europiane në fund të majit. Grupime ekstremiste, parti dhe opinionbërës janë përpjekur që me informacione të rreme të përhapura në mediat sociale të ndikojnë votueset e votuesit, shpesh me ndihmë nga Rusia. Në këtë përfundim arrin një raport i ndërmjetëm hetimor për „fushatat e dezinformimit", që Komisioni Europian e paraqiti më shumë se tre javë pas zgjedhjeve europiane.

Ndikim rus

"Numri i fushatave që mund të identifikohen si burime ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar", është shprehur komisioneri europian për Sigurinë në Internet, Julian King. BE flet për rreth 1000 raste të dezinformimit me pjesëmarrje të burimeve ruse që nga janari i këtij viti. „Këtu nuk bëhet fjalë për ‚big-bang‘, pra sulme të mëdha hakerësh, por për fushata të vogla të prera sipas përfytyrimit të grupit të shënjestruar", thotë komisionerja e BE për Drejtësinë, Vera Jourová në Bruksel.

Image
Julian King

Në Poloni për shembull, faqja online „Sputnik" ka përhapur informacione, sipas të cilave Polonia është më keq ekonomikisht, se në kohët e komunizmit. Përveç kësaj është ngritur pretendimi, se presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon të nxjerrë disa vende nga BE, thuhet në raportin paraprak të Komisionit Europian. „BE vëren, se janë fushata që nga ana përmbajtësore janë të afërta me idetë e Kremlinit. Por ne nuk jemi shërbim sekret, dhe nuk kemi të dhëna të drejtpërdrejta", thotë eurokomisioneri, King. Ai nuk mund të pohojë e as ta hedhë poshtë, nëse fushatat kanë lidhje direkte me shtetin rus. „Kjo mund t'iu zhgënjejë ju, por ne jemi të kujdesshëm në nxjerrjen e konkluzioneve."

Reklamë e fshehur

Ajo që të bie në sy është numri i lartë i faqeve online dhe profileve në mediat sociale, që bëjnë fushatë kundër migrantëve dhe islamit, thuhet në raportin hetimor për zgjedhjet europiane. Në Spanjë për shembull u zbulua një rrjet i organizuar i profileve false në twitter, që në mënyrë të automatizuar mbështeste #hashtag-e negative për islamin.

E gjitha ka ndodhur në rrethet e partisë populiste, Vox, thotë komisioneri, Julian King. Në Gjermani reklama zgjedhore e partisë populiste, AfD nuk identifikohej shpesh si e tillë, thotë KE. Televizioni gjerman, ARD kishte informuar para zgjedhjeve, se robotë automatikë, e dërgojnë mijëfish reklamën e AfD-së tek përdoruesit, pa e shenjuar si të tillë.

Rregullim i koncerneve?

Koncernet e mëdha të internetit, Facebook, Google e Twitter janë përpjekur t'i përmbahen „Kodeksit për punën praktike". Por kjo nuk ka qenë gjithmonë e suksesshme, kritikon komisionerja Vera Jourová. „Miliona profile false, të zhvilluara nga kompjuteri, të ashtuquajtur bots, janë mbyllur. Por duhet të bëhet më shumë, për të zbuluar ato që janë fake news." Facebook madje ngriti një qendër të posaçme për të zbuluar fushatat dezinformuese. Në fund të këtij viti vendet anëtare të BE do të vendosin, nëse ujditë e arritura me platformat  e komunikimit të internetit mjaftojnë, apo nëse nevojiten rregullime ligjore.

Image
Vera Jourova

Gënjeshtra nuk penalizohet

„Ata që përgatisin fushatat dezinformuese ndryshojnë vazhdimisht taktikën e tyre, ne duhet të veprojmë po ashtu", paralajmëron komisioneri, Julian Kind. Vigjilenca e vazhdueshme dhe lufta e pandalur kundër „fake news" janë një normalitet i ri dhe jo raste përjashtuese, thotë ai. Radikalizimi i vazhdueshëm i debatave dhe shpërndarja e grindjes dhe pakënaqësisë duhet të zbulohen. Nuk bëhet fjalë për të kufizuar lirinë e shprehjes në internet, thotë komisionerja, Jourová, por për të sqaruar. Si vepra penale konsiderohen vetëm ato përmbajtje që propagandojnë urrejtjen, terrorizmin, dhunën seksuale, pornografinë me fëmijë. „Gënjeshtrat në vetvete nuk janë ilegale", thotë Vera Jourová. Komisioni Europian publikon në faqen e tij çdo muaj një raport të hapur për fushatat e zbuluara të dezinformimit./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat