Rusi: Rritja e popullaritetit të Stalinit, sfidë për historinë

Evropë

Rusi: Rritja e popullaritetit të Stalinit, sfidë për historinë

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 08:32
Rusi

Ndërtuar rrëzë maleve Urale, nën diktatorin sovjetik Josef Stalin në vitet 1940s, Perm-36 është i vetmi kamp pune të detyruar që ekziston akoma. Tani është kthyer në muze, me misionin për të kujtuar milionat që humbën jetën nën represionin politik sovjetik, Por në një kohë kur popullariteti i Stalinit është në rritje në Rusi dhe qeveria po përpiqet të rikthejë madhështinë historike të vendit, muzeu është sheshi i fundit i betejës ideologjike për zemrat dhe mendjet e rusëve të zakonshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Igor Tsikhanenka vizitoi muzeun.

Perm-36 është relikja e fundit e Gulagut, një sistem i gjerë kampesh pune të detyruar që për dekada të tëra i kishte tmerruar qytetarët sovjetikë. Miliona humbën jetën në kushte të ashpra në kampet e punë, përfshirë disidentët fetarë.

“Kolegët e mi dhe unë ende nuk e besojmë dot. Iamgjinoni: autoritetet qendrore të dërgojnë një listë me njerëzit që duhen ekzekutuar. Dhe udhëheqës lokalë të partisë dërgojnë një telegram në Moskë ku thuhet: ‘Jo, janë shumë pak. Rriteni numrin’”.

Kampet ishin vendosur në zona të largëta të Siberisë dhe Veriun e Largët. Perm-36 është 1,600 kilomtra në Lindje të Moskës dhe e merr emrin nga një qytet historik aty pranë.

Në kohën që u mbyll në vitin 1987, ishte një burg i sigurisë së lartë ku Rusia sovjetike mbante ata që i quante burgosurit më të rrekikshëm, disidentët politikë.

“Ky lloj kampi filloi të shfaqej në Bashkimin Sovjetik, kur aktivistët e parë të të drejtave të njeriut filluan të tërhiqnin vëmendjen për problemin e të burgosurve politikë në vend”, thotë Victor Shmyrov,

Në fillim të viteve '90s, një grup aktivistësh lokalë nën drejtimin e historianit Victor Shmyrov dhe gruas së tij, Tatiana Kursina, rindërtuan kampin me fondet e tyre dhe dhurime publike.

Aktivistët e kthyen atë në Muzeumin e Historisë dhe Represionit Politik, ku aktivistët dhe ish-të burgosurit të mblidheshin për të folur për të kaluarën e errët.

“Ky muze është njëkohësisht një qendër kulturore, informuese dhe edukative”, thotë Tatiana Kursina, ish-drejtore e Muezut Perm-36.

Perm-36 është një subjekt delikat në një vend që i vë në piedestal udhëheqësit me grusht të fortë.

“Autoritetet duan figurat historike si Ivani i Tmerrshëm, Pjetri i Madh, dhe Stalini të jenë popullore mes rusëve”, thotë zoti Shmyrov.

Shmyrov dhe Kursina thonë se autoritetet ruse i detyruan të linin pozicionet e tyre, pasi u rrit popullariteti i muzeut.

"Nuk u pëlqente që ishim të pacensuruar, që ishte drejtuar nga aktivistët e komunitetit”, thotë zonja Kursina.

Tani Perm-36 drejtohet nga menaxherë shtetërorë dhe ata thonë se misioni fillestar vazhdon.

“Misioni ynë është të tregojmë historinë e vërtetë. Ashtu ua themi vizitorëve. Ne nuk krijojmë mite”, thotë zëvendës drejtori Sergey Ponomarev.

Por aktivistët dhe vëzhguesit e pavarur thonë se kjo nuk është e vërtetë.

"Ata hapën një ekspozitë që nuk përmbante asnjë fjalë për shtypjen, apo të burgosurit politikë. Në turet e tyre, ata flasin për punën e madhe, të përkushtuar të zyrtarëve të burgut. Shkaktoi reagimin e publikut dhe iu desh ta mbyllnin”, thotë zoti Shmyrov.

Sipas një ankete nga Qendra e pavarur Levada në prill të vitit të kaluar, një numër rekord rusësh, 51 për qind e shohin në mënyrë të favorshme Stalinin.

Zoti Shmyrov fajëson autoritetet ruse për këtë prirje.

“Nuk është sekret që vetëdija e publikut varet gjerësisht nga media, veçanërisht në një vend kur ka mungesë larmie të medias”.

Vëzhguesit vënë në dukje se vizitorët e muzeut sot mund të mësojnë oër Terrorin e Madh të Stalinit, por se ka edhe tema të ndaluara.

“Nuk flitet për faktin që ishte një vrasje masive nga shteti të popullit të vet. Flasin sikur të ishte ndonjë katastrofë natyrore, një murtajë”, thotë Robert Latypov, Kryetar i Muzeut Perm-36. Ai thotë se injorimi dhe lënia në harresë e së kaluarës traumatike, nuk do të thotë tjetër veçse që është e destinuar të përsëritet./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat