Hetuesit do të shpallin të dyshuarit për rrëzimin e aeroplanit MH17 në Ukrainë

Evropë

Hetuesit do të shpallin të dyshuarit për rrëzimin e aeroplanit MH17 në Ukrainë

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 11:45
Hetuesit australian dhe holandez ekzaminojnë pjesët e mbetura të fluturimit MH17. Donetsk, Ukrainë, 1 gusht, 2014.

Të mërkurën hetuesit do të prezantojnë detaje të reja nga hetimet për rrëzimin e aeroplanit të Malaysia Airlines në lindje të Ukrainës më 2014.

Ekipi i Përbashkët Hetues, i udhëhequr nga Holanda (JIT), pritet të shpallë të dyshuarit dhe të shpallë akuza për herë të parë.

Aeroplani i Malaysia Airlines po fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur kur u rrëzua, duke vrarë 298 persona që gjendeshin në bord.

Hetuesit fajësojnë separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët thonë se e goditën aeroplanin me një raketë të prodhuar në Rusi.

Aeroplani i tipit Boeing 777 u rrëzua në Ukrainën lindore, më 17 korrik 2014, në kulmin e konfliktit midis trupave qeveritare ukrainase dhe separatistëve pro-rusë.

*Video nga arkivi: Çfarë ndodhi me fluturimin MH17?

Rusia ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, duke thënë se raketa që goditi aeroplanin është shkrepur nga territori i kontrolluar nga Ukraina.

Hetuesit, që kërkojnë të gjykojnë të dyshuarit sipas ligjit holandez, më parë kanë thënë se posedojnë një listë të personave dhe u bën thirrje dëshmitarëve të ndihmojnë në hetimet për këtë ngjarje.

Javën e kaluar, hetuesit njoftuan se posedojnë detaje të reja nga hetimi, duke bërë që mediat holandeze të raportojnë se në bazë të këtyre të dhënave, do të emërohen edhe të dyshuarit për sulmin.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Kateryna Zelenko, tha se “që nesër bota do të dëgjojë emrat e katër njerëzve të dyshuar për përfshirje në këtë rast”.

Ajo tha se prokurorët do të dorëzojnë rastin në një gjykatë holandeze.

Hans De Borst – vajza 17-vjeçare e të cilit ishte në bordin e aeroplanit – i tha BBC-së se shpreson që hetuesit do të tregojnë emrat e të dyshuarve dhe se ky është vetëm hapi i parë për të arritur drejtësinë.

Fluturimi MH17 ishte nisur nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit më 17 korrik, 2014. Pasi ka fluturuar mbi Gjermani dhe Poloni, aeroplani, siç ka qenë e planifikuar, ka kaluar në jug të hapësirës ajrore të Ukrainës.

Rreth katër orë pas ngritjes, aeroplani humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror rreth 50 kilometra nga kufiri Rusi-Ukrainë.

Aeroplani u rrëzua në zonën e Donetskut, në territorin e kontrolluar nga separatistët. Pjesët e rrënojave u gjetën të shpërndara në një sipërfaqe prej rreth 50 kilometra katrorë.

Në tetor të vitit 2015, Bordi Holandez i Sigurisë tha se aeroplani ishte goditur nga një raketë ruse Buk, duke shkaktuar që fluturakja të shpërbëhej në ajër.

Video nga arkivi: Hetuesit fajësojnë Njësinë ruse për rrëzimin e MH17

Në vitin 2016, Ekipi i Përbashkët Hetues – që përfshin zyrtarë nga Holanda, Australia, Belgjika, Malajzia dhe Ukraina – arriti në një përfundim të ngjashëm.

Ky ekip ka thënë se raketa Buk është sjellë në Ukrainë nga Rusia pak kohë përpara se të rrëzohej aeroplani. Ekipi i Përbashkët Hetues po ashtu ka thënë se raketa është hedhur nga një rajon i kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Më herët autoritetet ruse patën deklaruar se “raketa që e ka rrëzuar aeroplanin e kompanisë Malaysia Airilens, është dërguar në Ukrainën sovjetike pasi është prodhuar në vitin 1986 dhe nuk është kthyer kurrë në Rusi”./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat