Turqia kërkon gjykim ndërkombëtar kundër qeverisë egjiptiane për vdekjen e Morsit

Evropë

Turqia kërkon gjykim ndërkombëtar kundër qeverisë egjiptiane për vdekjen e Morsit

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 16:43
Rexhep Erdogan dhe Mohamed Morsi

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, është zotuar të mërkurën se do të bëjë gjithçka që është e mundur që qeveria e Egjiptit të gjykohet nga institucionet ndërkombëtare të drejtësisë për vdekjen e ish-presidentit të këtij shteti, Mohamed Morsi, i cili pësoi sulm në zemër në një gjykatë të Kajros këtë javë.

“Mohammed Morsi është përpëlitur në dyshemenë e gjykatës për njëzet minuta dhe autoritetet nuk e kanë ndihmuar atë. Për këtë arsye po them se Morsi nuk ka vdekur, ai është vrarë”, tha Erdogan para përkrahësve të tij në një tubim në Stamboll.

“Ne si Turqi do ta përcjellim këtë rast dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që Egjipti të dalë para gjykatave ndërkombëtare për vdekjen e Morsit”, tha ai, duke i bërë thirrje Organizatës për Bashkëpunim Islamik që të marrë masa për këtë çështje.

Presidenti turk e dha këtë deklaratë vetëm një ditë pasi tha se Morsi është martir dhe se nuk beson që ai ka vdekur nga shkaqet natyrore.

Morsi ishte udhëheqës i organizatës “Vëllazëria Myslimane”. Ai ishte presidenti i parë i Egjiptit që në këtë pozitë u zgjodh në mënyrë demokratike. Morsi ishte duke qëndruar në paraburgim që nga viti 2013, kur ishte rrëzuar nga pushteti përmes një puçi ushtarak, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat