Stambolli sërish në votime

Evropë

Stambolli sërish në votime

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 10:00
Stambolli

Këtë të dielë votohet sërish në Stamboll për zgjedhjet lokale, pasi autoritetet shmangën një fitore të opozitës që i dha fund 15 viteve të kontrollit nga partia AKP e Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli, qyteti më i madh i Turqisë, për zgjedhjet që kanë marrë një domethënie shumë më të madhe.

Kandidati i partisë opozitare CHP, Ekrem Imamoglu, iu rikthye fushatës.

Mesazhi i tij për të kapërcyer ndarjen e thellë politike të Turqisë që i siguroi atij fitoren në muajin mars, është tashmë i gërshetuar me demokracinë.

Fitorja e zotit Imamoglu u shmang nga autoritetet zgjedhore bazuar mbi një teknikalitet – për shkak të mosplotësimit të kritereve nga disa zyrtarë të qendrave të votimit. Në rrugë mbizotëron një ndjesi e fortë për drejtësi.

“Për mua, ai fitoi një herë. Meqë ky do jetë një rast vjedhjeje, ne do të shkojmë të votojmë sërish për Imamoglun, sa për t’i inatosur”, thotë një banor vendas. Por, me një nga tre të rinjtë e Stambollit të papunë, në një qytet të goditur rëndë nga ngadalësimi ekonomik, është ekonomia që ka më shumë për rëndësinë për shumicën e mbështetësve të zotit Imamoglu.

“Ai premton vende pune. Ne jemi të papunë me diploma universiteti. Nuk marrim poste. Ai na premton punë, që na duhet më shumë se interneti falas. Njerëzit janë të uritur; nuk çojnë dot bukë në shtëpi. Të gjitha të mirat do vijnë me Imamoglun”, thotë një mbështetëse.

Në mbarë qytetin, kandidati i partisë AKP, Binali Yildirim, shmang ekonominë dhe fokusohet tek pretendimi se iu vodhën votat e muajit mars.

Zoti Yildirim është duke zhvilluar fushatë në zonat që e mbështesin, duke synuar gjallërimin e bazës rreth mesazhit për mbrojtjen e demokracisë.

“Drejtësia do të vendoset. Kështu duhet ta quajmë. Votat tona nuk u numëruan në votimet e fundit; ku shkuan? Ku shkoi vota ime?”, thotë një banore vendase.

Hanifeja, si shumë të tjera, ia atribuon suksesin e saj partisë AKP në Stamboll.

“Kam një dyqan prej 12 vitesh dhe kam banuar këtu për 22 vjet. Kam një dyqan rrobash që e hapa me mbështetjen e shtetit. Mora kredi shtetërore dhe e hapa. Prandaj i mbështes”, thotë ajo.

Stambolli përfaqëson një të tretën e ekonomisë turke dhe një buxhet prej 8 miliardë dollarësh. Rëndësia e votimeve të së dielës është pra e lartë. Siç thotë një thënie turke “kush kontrollon Stambollin, kontrollon Turqinë”.

“Politikisht, kjo ka një rëndësi të jetësore për sa i përket përdorimit dhe shpërndarjes së burimeve në Stamboll. Pala që do t’i përdorë me zgjuarsi këto burime, do të marrë një pjesë të madhe të votave në zgjedhjet e përgjithshme në të ardhmen”, thotë Nazli Okten, i Universitetit “Galatasaray”, të Stambollit.

Me një lëvizje të minutës së fundit, Presidenti Recep Tayyip Erdogan, është rishfaqur në fushatë, pasi anketimet tregonin për një humbje të thellë të kandidatit të tij.

Një sinjal se zgjedhjet në Stamboll mund të përcaktojnë edhe për të ardhmen e tij, dhe jo vetëm për të ardhmen e qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat