Ministri i Jashtëm gjerman: Terrori është terror

Evropë

Ministri i Jashtëm gjerman: Terrori është terror

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 12:56
Heiko Maas (majtas) dhe ministri Federal i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer

Pas vrasjes së politikanit, Walter Lübcke, kërkohet të veprohet kundër ekstremistëve të djathtë. Heiko Maas, ministri i Jashtëm gjerman e Horst Seehofer, ministri i Brendshëm theksojnë tolerancën zero kundër urrejtjes.

Pas vrasjes së Walter Lübckes, presidentit të presidiumit të Kaselit, (autoritet i landit), dy ministra federalë gjermanë, ai i Jashtëm, Heiko Maas (SPD) dhe ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, (CSU) kanë kërkuar më shumë angazhim kundër ekstremizmit të djathtë,e ngritjen e shoqërisë në këmbë kundër ekstremizmit të djathtë. I ftuar me një artikull tek gazeta gjermane „Bild", ministri i Jashtëm, Heiko Maas ka theksuar se duhet „të tregojmë, se jemi më shumë se radikalët e djathtë, antisemitistët, se ata që duan ndarjen". „Ndoshta vendi ynë nuk ka nevojë vetëm për „Fridays for future", që kanë vënë kaq shumë në lëvizje. Ndoshta duhet edhe një e enjte për demokracinë." Terrori është terror, këtu nuk ka asgjë që mund të relativizohet, ka nënvizuar Maas.

Maas: „Të veprojmë kundër paragjykimeve

Vrasja të kujton serinë e vrasjeve të grupimit terrorist të djathtë, NSU, kujton Maas. 80 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, politikanët për shkak të bindjeve të tyre bëhen sërish viktima të ekstremistëve të djathtë. „E gjitha kjo tregon atë, para së cilës shumë ende i mbyllin sytë: Gjermania ka një problem terrori."

Në Gjermani ka afër 12.000 ekstremistë të djathtë të gatshëm për dhunë; 450 prej tyre fshihen, megjithëse kërkohen me urdhërarresti. „Injorimi mund të jetë vdekjeprurës. Ne duhet ta themi këtë më në fund ashtu siç është - terrorizëm i djathtë."

Maas bëri thirrje për të reaguar edhe në rrethin personal. „Të veprojmë kundër edhe kur diskutimet në familje shkasin në drejtimin jo të duhur të paragjykimeve, në rrethin e miqve, në punë apo në shoqatën e sporti. Kjo kërkon guxim dhe pozicionim. Por bëhet fjalë për të ardhmen e shoqërisë sonë dhe bashkëjetesën tonë."

Seehofer: Tolerancë zero ndaj urrejtjes

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer (CSU) e vuri ekstremizmin e djathtë „në një nivel me terrorin islamist". Nëse vërtetohen dyshimet në rastin e vrasjes së Lübckes atëherë „zhvillimi është shumë i rrezikshëm", tha Seehofer në një intervistë për gazetat e grupit mediatik, „Funkegruppe" të shtunën. Ai bëri të ditur forcimin e autoriteteve të sigurisë për luftimin e ekstremizmit të djathtë dhe veçanërisht ndaj personave të gatshëm për dhunë dhe rrjeteve të tyre.

Seehofer bëri thirrje për të vepruar më shumë kundër urrejtjes dhe nxitjes së urrejtjes në internet. „Fyerja, mohimi, nxitja e urrejtjes në popull duhet të përndiqen si „offline" edhe „online"." Në Gjermani duhet të vlejë: „Tolerancë zero ndaj urrejtjes ndaj të huajve, nxitjes së urretjes dhe antisemitizmit."/dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat